Sporti

Gjyqtar nga kryeqyteti për ndeshjen e Prishtinës, pakënaqësi me delegimin e tyre!

05/04/2021 19:16
nga:Lorik J

Kampionati elitar në futbollin kosovar po shkon drejt mbylljes për edicionin 2020/21, derisa jemi futur në ‘finalet’ e fundit të këtij sezoni.

Titulli kampion vazhdon të diskutohet ndërmjet tri skuadrave, ndërkohë që tashmë kanë nisur edhe paknaqësitë ende pa u futur në to.

Siç mëson ekskluzivisht Gazeta “Sheshi” me burime brenda klubit të FC Prishtinës, ekzistojnë paknaqësi të mëdha sa i përket delegimit të gjyqtarëve të ndeshjes për duelin ndaj Besës së Pejës, pasi që me këtë rast theksohen edhe shkeljet e rregullores së garave.

Visar Kastrati nga kryeqyteti do t’i gjykojë skuadrës nga vendi prej nga vjen dhe kjo është në kundërshtim të plotë me rregulloren e garave, ndaj edhe në klubin ‘bardhekaltër’ nuk janë pajtuar aspak.

Komisioni i kryesuar nga Gani Havolli nuk i ka pyetur as Besën dhe as Prishtinën nëse janë dakord që t’u gjykojë një gjyqtar nga kryeqyteti, pasi që rregullorja nuk e lejon një gjë të tillë, përveçse me pajtueshmëri të dy klubeve, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.

Për Kastratin, i cili njëherit është edhe me stemën e FIFA-s, kjo do të jetë hera e parë që gjykon një ndeshje të FC Prishtinës, klubit nga edhe e ka prejardhjen.

Ai do të shoqërohet nga asistentët Edmond Zeqiri (Podujevë) dhe Arlind Osmani (Ferizaj), ndërkohë Selim Isufi (Mitrovicë) do të jetë në rolin e gjyqtarit të katërt.