Lajme

Gjyqi në Hagë drejt epilogut, Hamza: Vendimi do të jetë provë e ndërgjegjës ndërkombëtare ndaj së vërtetës

02/09/2026 10:37
nga:Lorik J

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili tashmë po hyn në fazën përmbyllëse.

Hamza ka kërkuar që drejtësia ndërkombëtare të veprojë në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, duke theksuar se vendimi përfundimtar do të përbëjë edhe një provë të ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës.

Në postimin e tij të plotë, Hamza shkruan se sot ka nisur faza përmbyllëse e një procesi të gjatë dhe të rëndë gjyqësor në Hagë. Ai thekson se për më shumë se pesë vjet, çlirimtarët, ekipet e tyre mbrojtëse dhe dëshmitarët kryesorë kanë qëndruar me dinjitet dhe argumente të fuqishme, duke rrëzuar akuzat një nga një.

Sipas tij, tashmë pritet që drejtësia ndërkombëtare, në mënyrë të paanshme dhe pa ndikime, të marrë vendimin e saj përfundimtar.

Hamza shpreh bindjen në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se kjo bindje mbështetet në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ai shton se ky proces nuk është vetëm një akt juridik, por përfaqëson edhe një provë të ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës.

Në fund të reagimit të tij, Hamza përfundon me mesazhin: “Kosova beson! Liri për çlirimtarët!”.