I akuzuari Tafë Ramaj ka deklaruar para trupit gjykues se nuk kishte pasur qëllim ta vriste askënd e as të dëmtuarin Sadri Lushaj, kur kishte shtënë me armë, në qershor të vitit të kaluar.
Një deklarim të tillë, i akuzuari Ramaj e bëri në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ku i njëjti po ngarkohet se nga hakmarrja, kishte tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Sadri Lushaj, për shkak të një konflikti të mëparshëm mes familjes Lushaj dhe Ramaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kam qenë i frikësuar se po më vrajnë. Unë kam shtënë përpjetë dhe kur kam shtënë unë s’e kam ditë se ku ka qenë Sadria”, tha Ramaj.
Ai sqaroi se para se të qëllonte në ditën kritike kishte parë të dëmtuarin Sadri në një pjesë të livadhit, derisa i akuzuari kishte qenë me traktor së bashku më fëmijët dhe nipin e tij.
I akuzuari shtoi se rrugës me traktor kishte vërejtur të dëmtuarin Sadri duke folur në telefon dhe se e kishte dorën në çantë dhe pasi e kishte kaluar me traktor, kishte dëgjuar disa krisma dhe më pas kishte shtënë me armë.
Mirëpo, thekson se kur kishte shtënë me armë nuk e kishte parë të dëmtuarin.
“Unë s’kam pas qëllim të lëndoj askënd, por vetëm ta frikësoj dhe me mbrojt veten dhe familjen time”, tha i akuzuari Ramaj.
Më pas kur kishte kaluar nga shtëpia e Lushajve, i akuzuari sqaroi se kishte gjuajtur edhe një herë lart, me arsyetimin se ishte i frikësuar se mos po e vrisnin.
I pytur nga prokurorja Lumturije Vuqetaj, i akuzuari pohoi se i dëmtuari nuk kishte bërë asnjë veprim dhe atij nuk i kishte parë armë në duar.
Prokurorja e ballafaqoi edhe me raportin e balistikës, ku në vendin e ngjarjes ishin gjetur vetëm gëzhoja të armës së të akuzuarit dhe jo gëzhoja tjera.
“Unë ekspert i armëve nuk jam, por e di se kam gjuajt vetëm atëherë kur kam dëgjuar të shtëna”, tha i akuzuari.
Kurse, i dëmtuari tha se e gjithë deklarata e të akuzuarit ishte e pavërtetë.
Seanca e radhës u caktua më 13 qershor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 9 gusht 2021, i pandehuri Tafë Ramaj ngarkohet se më 5 qershor 2021, në fshatin Shaptej, Komuna e Deçanit për shkak të hakmarrjes dhe konfliktit të mëhershëm që mbizotëron në mes të familjes Ramaj dhe Lushaj, kishte tentuar të privonte nga jeta të dëmtuarin Sadri Lushaj.
Aktakuza përshkruan se derisa i dëmtuari kishte qenë në livadhin e tij, aty kishte arritur i pandehuri me traktor, pasi e vëren të dëmtuarin merr pushkën automatike në traktor dhe shtie dy herë në drejtim të të dëmtuarit Lushaj, ku ky i fundit shtrihet në livadh për t’i ikur rrezikut.
Tutje, sipas aktakuzës, i dëmtuari niset në drejtim të shtëpisë së tij dhe me të arritur te udhëkryqi që ndan rrugët e shtëpisë së Lushajve dhe Ramajve, i pandehuri Tafë përsëri i ulur mbi sanë në traktor shtie në drejtim të dëmtuarit dy herë radhazi, predhat e të cilës e godasin murin e shtëpisë së të dëmtuarit.
Për çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentative”, për të cilën parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite ose me burgim të përjetshëm. Sipas Kodit Penal, për vepra penale për të cilat ligji parasheh dënim me burgim të përjetshëm, gjykata mund të shqiptojë dënim me burgim deri në 35 vjet.
I pandehuri Ramaj ngarkohet edhe për shkak të mbajtjes në posedim të paautorizuar të pushkës automatike, një karikator dhe 16 fishekë, të cilat sipas Prokurorisë ishin në pronësi të tij.
Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilën vepër parashihet dënimi me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.


