Lajme

Gjykimi për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc vazhdon më 16 shkurt

02/06/2026 20:26
nga:Mergim Rreci

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën 16 shkurt 2026 për seancën e radhës në gjykimin për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Këtë e ka konfirmuar  zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

Seanca u caktua pasi Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, refuzoi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu nga kjo lëndë.

Për këtë sulm akuzohen vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq. Në seancën fillestare më 24 dhjetor 2025, mbrojtësi i Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq, kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Kodraliu, kërkesë që u mbështet edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, duke çuar në ndërprerjen e seancës.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 9 dhjetor 2025 ndaj tre të akuzuarve për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.