Lajme

Gjykimi për kontrabandim me migrantë dhe shmangie nga tatimi, dëshmitari thotë se nuk i njeh të akuzuarit

11/21/2023 16:07
nga:N K

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Qëndrim Racaj ka thënë se nuk i njeh të akuzuarit Xhelal Krasniqi, Blerim Berisha dhe Berat Syla, të cilët po ngarkohen për veprën penale kontrabandim me migrantë.

Në këtë rast Krasniqi akuzohet edhe për veprën penale shmangie nga tatimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndër të tjera dëshmitari Racaj tha se për dokumente sllovene nuk kishte aplikuar asnjëherë.

Dëshmitari Racaj se kur kishte dhënë deklaratë në polici i ishte dhënë në shikim një dokument slloven ku i kishte parë të dhënat e tij personale, mirëpo fotografia kishte qenë e një personi tjetër.

“Ma kanë dhënë një dokument slloven edhe ma kanë treguar në kompjuter edhe aty kom pa të dhënat e mija, por tjetër person”, tha ai.

Më pas seanca e së martës ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Bajram Kastrati, i cili ndër të tjera tha se kishte bërë një letërnjoftim të shtetit të Suedisë.

Ai tha se nuk e di se kush e ka bërë këtë letërnjoftim, mirëpo në kontakt kishte rënë numër pas numër, duke shtuar se nuk i kujtohet kush ka qenë ai person pasi kanë kaluar shumë vite.

Tutje dëshmitari Kastrati tha se për këtë dokument kishte paguar rreth 150 euro dhe se ky dokument i kishte nevojitur vetëm për Evropë dhe atë dokument nuk e kishte shfrytëzuar.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitar Besart Marteta, i cili ndër të tjera tha se për dokumente sllovene i kishte marrë nga një djalë i Shqipërisë, për çka kishte paguar.

Sipas tij, kur i ka pranuar këto dokumente ka qenë në Gjermani dhe se i ishte bërë me dije që nuk guxon që të udhëtojë me të njëjtat, por vetëm për punësim.

I fundit dëshmitar i cili u dëgjua në këtë seancë ishte Yll Devolli i cili tha se ishte pajisur me dokumente të Serbisë dhe atë me pasaportë, letërnjoftim dhe leje të veturës.

Sipas tij, lejen e kishte marrë në Serbi nga një person që i kishte thënë që nëse nuk e njeh gjuhën duhet me marrë me pare pa hyrë në test.

Për këtë dokument tha se kishte paguar por shuma nuk i kujtohet.

Sipas tij, me këtë dokument kishte vozitur veturë mirëpo i ishte marrë nga policia pasi që kishin dyshuar që ishte falsifikuar.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për datën 11 dhjetor 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar më datë 26 maj 2023 nga PSRK-ja të akuzuarit Blerim Berisha, Berat Syla dhe Xhelal Krasniqi nuk ngarkohen me krim të organizuar ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës mbetët e pa ndryshuar.

Sipas aktakuzës, Berisha, Syla dhe Krasniqi po akuzohen se kanë kryer veprën penale në vazhdimësi “Kontrabandim me migrantë”, nga neni 164, par 1 dhe 2 lidhur me nenin 31 të KRPK-së, kurse i akuzuari Krasniqi ngarkohet edhe me veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307, par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.