Lajme

Gjykimi për bixhoz dhe shpëlarje parash, 5 të akuzuar japin mbrojtjen ndërsa 24 të tjerë mbrohen në heshtje

11/08/2023 20:14
nga:N K

Në gjykimin ndaj 29 të akuzuarve për bixhoz të paligjshëm dhe shpëlarje parash, 24 prej tyre shfrytëzuan të drejtën e tyre për t’u mbrojtur në heshtje, ndërsa pesë të tjerë vendosen që të japin mbrojtjen e tyre.

Në heshtje u mbrojtën të akuzuarit: Safet Kyqyku, Armend Danqeli, Ardian Kuqi, Zenun Zenuni, Flakron Maqani, Naser Përvetica, Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Besim Bllaca, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku, Arber Hoti, Agron Limani, Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rifati, Idriz Jakupi, Istref Veliqi, Sadri Brahimi, Ramadan Nebija dhe Burim Makiqi.

Ndërsa, të akuzuarit Besnik Aliu, Blerim Blakaj, Bekim Kyqyku, Sami Balia dhe Burim Bytyqi vendosën që të deklarohen në mbrojtjen e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Besnik Aliu, në mbrojtjen e tij deklaroi se rreth vitit 2017 ose 2018 ka punuar në lokalin për lojëra të fatit “Tip Sport 365”, ndërsa punën e kishte përfunduar në momentin kur kishte ndodhur bastisja në lokal.

“Specifikisht po e ceki, në momentin që ka ndodh bastisja dhe unë kam qëllu aty, nuk kam dashtë me vazhdu më”, deklaroi Aliu.

Përgjegjësia e tij gjatë punës, sipas të akuzuarit Aliu kishte qenë vetëm shërbimi i klientëve dhe shtoi se nuk ishte marrë me shtypjen e tiketave. Kurse, tha se nuk ka qenë në dijeni se kush ka qenë pronar i bastores.

“Por, pasi jam akuzu e kam kuptu që ka qenë Safet Kyqyku, dhe nuk e kam ditë kush e ka menaxhu”, tha Aliu.

Ndërsa, i akuzuari Blerim Blakaj gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ka deklaruar se gjatë periudhës fund i vitit 2016 dhe fillimi i 2017-ës, ka pasuar një lokal çajtore në fshatin Vrellë.

Përveç çajtores, ai tha se aty është ushtruar edhe veprimtaria e lojërave të fatit, përkatësisht aty kishte qenë edhe çajtore edhe bastore. Sipas tij, bastoren “Tip Sport 365”, e kishte marrë në lokalin e tij, pasi që si çajtore nuk kishte pasur punë shumë dhe të njëjtit i ishte ofruar një rrogë.

Personat me të cilët kishte kontaktuar ai që veprimtaria e bastores të zhvillohej në lokalin e tij, Blakaj tha se ka qenë Përparim Kyqyku dhe personi me emrin Valon, mbiemri i të cilit nuk i kujtohej.

Sipas tij, për këtë veprimtari personat në fjalë kanë pasur licencë dhe shtoi se përveç çajtore dhe bastore në lokal automate për lojëra nuk ka pasur. Po ashtu, ai ka thënë se në licencë si pronar ka figuruar Safet Kyqyku.

Kurse, i akuzuari Bekim Kyqyku, gjatë deklarimit të tij tha se gjithmonë është marrë me tregti dhe se asnjëherë nuk kishte qenë pronar ose menaxher i ndonjë biznesi që ka ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit.

“Jo, kurrë nuk kam qenë as nuk i kam frekuentuar kurrë”, tha i akuzuari Bekim Kyqyku.

Ai gjithashtu ka thënë se asnjë nga të akuzuarit nuk e njeh, përveç të akuzuarit Safet Kyqyku të cilin e ka vëlla. Sipas tij, asnjëherë nuk kishte ndodhur që të akuzuarve t’i huazojë para, përveç vëllait të tij Safetit.

“Përveç vëllait tem që ia kam transferu prej fitimeve të mbajtura, kurrë kurrkujt si kam transferu para”, tha ai, duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë përfitues nga bizneset që kanë ushtruar veprimtari të lojërave të fatit.

Ndërkaq, të akuzuarit Sami Baliu dhe Bekim Kyqyku mbrojtjen e tyre do ta japin në seancën e radhës.

Paraprakisht, në këtë seancë, avokatët Durim Osmani, Rrahman Kastrati, Hamdi Podvorica, Argjent Sefa, Granit Vokshi, Alma Paqarizi, Sarandë Beqiri propozuan prova të reja materiale, të cilat trupi gjykues i ka aprovuar.

Në seancën e kaluar, disa nga mbrojtësit e të akuzuarve, kërkuan që provat e propozuara nga ana e prokurores speciale Habibe Salihu, të shpallen të papranueshme.

E lidhur me këto, në fillim të seancës kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi mori aktvendim me të cilin Raportin përmbledhës lidhur me zbulimin e të dhënave financiare të datës 11 gusht 2017 e shpalli provë të papranueshme, për shkak se tha që kjo provë, kjo masë e fshehtë është urdhëruar pa pasur aktvendim për fillimin e hetimeve dhe raporti në fjalë është nxjerrë sipas urdhrit të lartcekur.

Ndërsa, janë refuzuar propozimet e mbrojtësve që të shpallen si prova të papranueshme provat që janë propozuar të administrohen sipas fjalës hyrëses të prokurores, për shkak se gjykata konsideron se këto prova janë nxjerrë konfrom dispozitave ligjore.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan më 5 dhe 19 dhjetor 2023.

Ndryshe, të akuzuarit Safet Kyqyku, Armend Danqeli, Ardian Kuqi, Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Burim Bytyqi, Blerim Blakaj, Flakron Maqani, Naser Pervetica, Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Besim Bllaca, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku, Arber Hoti, Agron Limani, Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rifati, Idriz Jakupi, Istref Veliqi, Sabri Brahimi, Sami Baliu, Ramadan Nebija, Burim Makiqi dhe Bekim Kyqyku, po përballen me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të ngritur më 27 tetor 2020, për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i parave”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe për veprën penale “Ndihma”.