Çedomir Aksiq është i akuzuari i parë, ndaj të cilit nisi gjykimi pa prezencën e tij.
Gjykimi ndaj tij, për akuzat për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999 në Kosovë, nisi një vit më parë, për të vazhduar më pas edhe me ngritjen e aktakuzave të tjera në mungesë për krime lufte.
Ndryshimet e KPPRK-së, sipas dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka kanë vendosur një standard të ri në sistemin e drejtësisë, por se edhe më tutje vazhdon të jetë sfidues.
“Gjykimi në mungesë jo vetëm në rendin tonë, sistemin tonë gjyqësor dhe prokurorial është sfidë në të gjitha vendet gjithandej sepse flasim për një standard të ri, një institut nënkupton raste të vecanta të kufizuara, me kushte të caktuara që i pandehuri të mund të gjykohet në mungesë të tij, që reflekton pastaj me sfidën për të drejtat procedurale që i ka personi i pandehur”, ka theksuar Avni Puka – Dekan i Fakultetit Juridik.
Problematike gjykimin në mungesë e sheh edhe profesoresha Gjylbehare Murati, e cila thotë më sfiduese do të jetë zbatimi i aktgjykimeve.
“Ka me qenë shumë e komplikuar ska me qenë lehte, e dini që janë zotuar që tri standarde kyqë që ia imponon standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, qoftë nga korinza ligjore ndërkombëtare sidomos për standardet që i ka caktuar Strasburgu, ku thuhet se gjatë këtyre rasteve duhet të kihen parasysh 3 standarde, njëra prej tyre është që të njoftohet i akuzuari, e dyta është që të ketë përfaqësues ligjor, që ka me pas një përfaqësues efektiv, dhe e treta që rasti ka me pas mundësi për rigjykim”, ka theksuar Gjylbehare Murati – Profesoresh në fakultetin e Juridikut.
Ndërkohë që Puka thotë se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, janë bërë vetëm për të lehtësuar hetimin e gjykimin e krimeve të luftës.
“Nuk përcakton ligji te ne mundësinë e gjykimit në mungesë për vepra të natyrës së terrorizmit, sepse kur është plotësim ndryshimi, kodi i procedurës fryma nëse bëjmë një interpretim autentik nëse mund të themi, ka qenë për krimet e luftës, ka qenë për krimet kundër njerëzimit dhe nuk është përcaktuar për raste të tilla, edhe pse këto janë vepra shumë të rënda, veprat kundër rendit kushtetutes të Kosovës, terrorizimi i cili është krim i shekullit, është dashur të përcaktohet”, ka theksuar Puka.
Ngritja e aktakuzës e zhvillimi i gjykimeve pa prezencë të të akuzuarit, u mundësia pas ndryshimit të Kodit të procedurës penale, ndryshimet e të cilit hyn në fuqi në shkurt të 2023.
Që nga viti i kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dhjetëra aktakuza në mungesë, për krime lufte, krime kundër njerëzimit e për dhunime seksuale të kryera gjatë luftës.
Ndër aktakuzat më numrin më të madh të të pandehurve është aktakuza për masakrën e Mejës, e cila përfshinë 53 persona që nuk gjenden në Kosovë.