I ashpër ishte qëndrimi i ish-ministrit të Jashtëm, Paskal Milo, pasi prokuroria në Hagë kërkoi nga 45 vite burg secili për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Milo tha se qeveria e Kosovës do duhej të kishte reaguar që kur u burgos kryetari i shtetit dhe u dërgua në Hagë.
“Kjo vë në dyshim identitetin e atij populli. Të gjithë e dimë vlerën e çlirimit të Kosovës, por edhe të atyre burrave për të cilët shqiptarët presin që të lirohen nga Haga. Akuza nuk di si do të përfundojë e tillë, fjalën e fundit do ta thotë Gjykata, e cila është më gjakftohtë se prokurorët”.
“Kur sapo u arrestua presidenti i Kosovës, kam qenë në këtë studio dhe kam bërë një kritikë duke i bërë thirrje ministrit të drejtësisë të qeverisë së Kosovës, duke i thënë: si është e mundur që qeveria e Kosovës, po i burgosin kryetarin e shtetit dhe po rri kaq indiferente? Që atëherë e deri tani, e kam ndjekur me shumë vëmendje; nuk mund të paragjykojmë rezultatin e gjykimit sepse nuk varet nga ne. Të gjithë urojmë të kthehen në shtëpinë e tyre dhe t’i shërbejnë kombit njësoj si gjatë luftës së UÇK-së”, tha Milo në TopChannel.


