Lajme

Gjykata rikthen Merita Shalën në krye të Universitetit të Mitrovicës, Nurtene Deva duhet t’ia lirojë pozitën

01/21/2025 19:01
nga:Gazeta Blic

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar pjesërisht padinë e Merita Shalës, duke e detyruar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, që të njëjtën ta kthejë në pozitën e rektores sipas vendimit nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm.

Gjithashtu, Gjykata ka obliguar Universitetin e Mitrovicës që në emër të kompensimit të diferencës në pagë si pasojë e ndryshimit të pozitës nga 7 shkurti 2024 e deri më 18 dhjetor 2024, t’ia paguajë 6 mijë e 357 euro e 6 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo Gjykatë ka anuluar si të kundërligjshme vendimet e nxjerra nga Universiteti i Mitrovicës dhe Këshilli Drejtues i këtij Universiteti, përkatësisht vendimin kur kishte anuluar konkursin dhe vendimin e zgjedhjes se Merita Shalës si rektore.

Vendimi i Gjykatës vjen pasi “Betimi për Drejtësi” më 10 shkurt 2024 kishte publikuar hulumtimin “Hallakamat për rektor në Universitetin e Mitrovicës”, ku tregohej se si Merita Shala ndonëse u zgjodh rektore në verën e 2023-ës, në shkurt 2024 procesi u kthye në pikën zero, pasi Ministria e Arsimit kishte kërkuar anulimin e vendimit, me arsyetimin e Shala ishte zgjedhur jashtëligjshëm. E më 30 mars 2024, “Betimi për Drejtësi”, publikoi hulumtimin “Kontrabandimi” i rektores në Universitetin e Mitrovicës”, ku tregohej se e dënuara me vepër penale të korrupsionit, Nurtene Deva, ishte zgjedhur në krye të Universitetit, ani pse nuk i kishte dorëzuar dokumentacionet e nevojshme.

Përmes vendimit, Gjykata ka aprovuar pjesërisht kërkesën e Shalës, duke e detyruar Universitetin e Mitrovicës dhe Ministrinë e Arsimit që në emër të shpenzimeve procedurale, asaj t’ia paguajë 1 mijë e 144 euro.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se nga provat e administruara, Gjykata ka konkluduar se e paditura e parë- Universiteti “Isa Boletini” nëpërmjet Këshillit Drejtues, ka nxjerrë vendimin e datës 7 shkurt 2024, me të cilin ka anuluar vendimin për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e rektorit dhe vendimin për zgjedhjen e Shalës në pozitën e rektores, me arsyetimin e shkeljeve ligjore.

E kjo, sipas vendimit, pa zhvilluar procedurë disiplinore apo etike dhe se ky vendim ka mbetur në fuqi pas shqyrtimit nga Komisioni për Ankesa të Nëpunësve Publikë dhe ankesave tjera në Ministrinë e Arsimit.

Në përfundim, Gjykata ka konstatuar se të gjitha këto veprime dhe vendime nuk janë në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse.

Sipas Themelores, është konstatuar se Universiteti “Isa Boletini” nuk ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore të Rregullores mbi punën e Këshillit Drejtues kur ka anuluar konkursin dhe vendimin e zgjedhjes së rektores. Pasi Rregullorja përcakton se për vendime të rëndësishme si zgjedhja apo shkarkimi i rektores, nevojiten 2/3 e votave të anëtarëve.

Kështu, Gjykata ka vlerësuar se nuk është përmbushur ky kusht pasi nuk është siguruar shumica e votave dhe votimi nuk ka qenë i fshehtë siç kërkohet.

“Në përputhje me dispozitat e Rregullores së KD, për të qëndruar në fuqi vendimi për shkarkimin e rektorit dhe anulimin e konkursit, duhet të ishte arritur shumica e kualifikuar e pesë votave pro. Duke qenë se vetëm katër vota pro janë dhënë, vendimi i Këshillit Drejtues për shkarkimin e rektorit nuk mund të konsiderohet i ligjshëm dhe i vlefshëm”, thuhet në vendim.

Për më tepër, Gjykata ka vlerësuar se Këshilli Drejtues i UIBM, nuk e ka nxjerrë vendimin për shkarkim, por ka vepruar si anulim të vendimit për zgjedhjen e rektorit, duke tentuar të shmangë kërkesën për shumicën e kualifikuar prej 2/3 të votave, ka bërë shkelje të Rregullores së Këshillit Drejtues dhe Statutit të UIBM.

Lidhur me pretendimet e Universitetit dhe Ministrisë se konkursi është anuluar për shkak të shkeljeve që janë gjetur në procedurën e zhvilluar, Gjykata ka thënë se është e pabazë pasi konkursi nuk është akt administrativ i cili mund të anulohet në çdo kohë, por është një premtim publik për kandidatët e suksesshëm, të cilët, nëse përmbushin kritere të caktuara, do të themelojnë marrëdhënien e punës.

“Mënyra se si hapet, zhvillohet dhe anulohet konkursi është e rregulluar me dispozitat e Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit të Punës. Në këtë kuptim, për sqarim të paditurave, konkursi, pas zhvillimit të procedurës së rekrutimit dhe pranimit të kandidatit, mund të anulohet vetëm nga ana e Gjykatës…”, thuhet tutje në arsyetim.

Anulimi i konkursit pas shtatë muajsh, për Gjykatën thuhet se është i papranueshëm, në kundërshtim me dispozita vendore dhe ndërkombëtare dhe se krijon pasiguri.

“Kjo mënyrë e të vepruarit nga ana e të paditurave është kundërthënëse në vetvete, sepse një institucion, siç është Universiteti, për një konkurs që vetë e ka shpallur dhe ka pranuar një kandidate në punë në bazë të atij konkursi, pas kalimit të disa muajve, konkursin që vetë e ka shpallur dhe zhvilluar, e konstaton si të paligjshëm dhe me shkelje të shumta”, arsyeton tutje Gjykata në vendim.

Po ashtu, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vlerësuar se zhvillimi i procedurave të konkursit në përputhje me ligjin është barrë e punëdhënësit dhe jo e punëmarrësit. Aty thuhet se nga analizimi i konkursve tjera të shpallura për të gjitha universitetet publike, rezulton se janë pothuajse identikë me konkursin e anuluar.

Gjithnjë sipas vendimit, Ligji i Punës ndalon diskriminimin. Më tej, theksohet se kur MASHTI ka kërkuar anulimin e konkursit në Mitrovicë dhe jo universitete tjera, ka vepruar në mënyrë diskriminuese.

Tutje, thuhet se Rregullorja mbi punën e Këshillit Drejtues parasheh se anëtarët e KD-së të ftohen së paku tri ditë para mbledhjes dhe se kryesuesja e KD-së, në kundërshtim me dispozita e Rregullores nuk e ka ftuar fare rektoren si anëtare ex-officio. Kjo sipas gjykatës vërtetohet edhe në e-mailin që Shala ia ka drejtuar Këshillit, por edhe procesverbalit ku kryesuesja konstaton se: “Sa i përket mos thirrjes së profesoreshës Meritë, nuk kemi asgjë kundër integritetit të saj profesional dhe akademik, por e ftojmë që të aplikojë përsëri.”

Kështu, Gjykata këto vendime i ka parë si të kundërligjshme dhe i ka anuluar.

Në lidhje me kërkesëpadinë e paditëses për kompensimin e dëmit jomaterial, Gjykata vlerësoi se edhe pse paditësja ka argumentuar për ndikimin e veprimeve të të paditurave në autoritetin dhe dinjitetin e saj personal dhe profesional, si dhe për pasojat emocionale që ka përjetuar, një kërkesë e tillë nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore dhe faktike për t’u miratuar.

Gjykata vuri në dukje se për të arritur në një vendim për kompensimin e dëmit jomaterial, duhet të jenë të provuara në mënyrë të qartë dhe të besueshme pasojat direkte dhe të rënda që veprimet e të paditurave kanë shkaktuar te paditësja. Megjithatë, në këtë rast, ekspertiza psikiatrike nuk është e mjaftueshme për të mbështetur kërkesën e kompensimit prej 12 mijë euro.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një qëndrim nga Deva lidhur me këtë vendim, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur deri në publikimi ne këtij lajmi. Kurse, Shala nuk e komentoi vendimin, duke thënë se nuk e ka pranuar ende atë.

“Betimi për Drejtësi”, më 10 shkurt 2024 kishte publikuar hulumtimin “Hallakamat për rektor në Universitetin e Mitrovicës”, ku tregohej se si ndonëse Merita Shala u zgjodh rektore në verën e 2023-ës, në shkurt 2024 procesi u kthye në pikën zero, ndonëse kishin kaluar katër muaj që kur rektorja mori pozitën dhe ushtroi detyrën.

E gjithë kjo u bë me inicimin indirekt të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në fshehtësi, e pa dhënë sqarime në kohë. Ministria ua kishte dërguar një vlerësim anëtarëve të Këshillit Drejtues, ku kërkonte anulimin e vendimit me arsyetimin se rektorja ishte zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme.

Gjatë kësaj periudhe kohore, dy herë radhazi kishin dhënë dorëheqje kryesuesit dhe anëtarët e përzgjedhur nga MASHTI.

Por, pasi u emëruan anëtarët për herë të tretë, Këshilli Drejtues u mblodh, gjashtë muaj pas fillimit të vitit të ri akademik, ku edhe u votua shfuqizimi i konkursit ku ishte zgjedhur rektore Shala.

Ani pse tashmë ishte larguar nga pozita e rektores, Merita Shala lajmin për këtë kishte thënë se e mori nga ekipi i “Betimi për Drejtësi”, pasi nuk e kishte njoftuar askush për mbledhjen e Këshillit, por as për votimin për shfuqizimin e konkursit për rektor.

Ndërsa më 30 mars 2024, “Betimi për Drejtësi”, publiko hulumtimin Kontrabandimi” i rektores në Universitetin e Mitrovicës”, ku tregohej se e dënuara me vepër penale të korrupsionit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Nurtene Deva, tashmë ishte në krye të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Nurten Deva ishte dënuar me 800 euro gjobë nga Gjykata në shtator të vitit 2022, pasi e kishte pranuar kryerjen e veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Më 22 mars 2024, Deva u zgjodh rektore e UIMB ani pse e njëjta nuk i kishte dorëzuar dokumentacionet e nevojshme. Sipas raportit të komisionit, Deva nuk e kishte dërguar raportin e gjykatës përmes së cilit do të dëshmonte se ajo nuk është e dënuar për vepër penale. Përveç kësaj, Deva nuk e kishte dërguar as dëshminë se ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës.

Komisioni i Senatit kishte konstatuar se Deva nuk i plotësoi kriteret, mirëpo anëtarët e KD nga Ministria e kishin injoruar raportin.

Gjithashtu, gjatë intervistim të kandidatëve nuk ishin të pranishëm gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues, kështu duke e kundërshtuar nenin 19 pikën 1 të Ligjit për Arsimin e Lartë.

“Kandidatët të cilët janë në garë duhet të intervistohen nga të gjithë anëtarët e këshillit”, thuhet në Ligjin për Arsimin e Lartë, ndërsa në këtë mbledhje ishin të pranishëm vetëm gjashtë anëtarë.

Përkundër raportimeve të “Betimi për Drejtësi”, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kishte thënë se nuk ka njohuri se rektorja është e dënuar për vepër penale.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 4 prill 2024, kishte marrë vendim për caktimin e masës së përkohshme, duke urdhëruar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” të pezullojë zbatimin e vendimit, me të cilin Nurtene Deva u zgjodh rektore.

Ndërsa, më 17 prill po kjo Gjykatë e kishte anuluar këtë aktvendim, e i cili ia mundësonte Devës të rikthehet në pozitën e zgjedhur. Gjykata kishte thënë se procedimi i çështjes do të vazhdojë në procedurë të rregullt kontestimore për shqyrtimin e padisë.

Në maj 2024, MASHTI, kishte refuzuar ankesën e Merita Shalës, duke thënë se ankesa e saj është e pabazuar. /BetimipërDrejtësi