Lajme

Gjykata refuzon kërkesën e Komunës së Prishtinës për punimet në sheshin “Xhorxh Bush”

08/19/2025 14:16
nga:G B

Ministri në detyrë i kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se Gjykata e ka refuzuar kërkesën e Komunës së Prishtinës për projektin në sheshin “Xhorxh Bush”, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se që nga fillimi ju kanë treguar se e kanë shkelur ligjin por ata kanë vazhduar.

Postimi i tij i plotë:

Provuan një herë, dështuan. Provuan për së dyti, prap e morën të njëjtën përgjigje nga gjykata: REFUZOHET si e pabazuar kërkesa e komunës së Prishtinës.

Po, bëhet fjalë për projektin e kundërligjshëm të sheshit “Xhorxh Bush”. Gjykata dy herë foli qartë, nuk pezullohet vendimi i Inspektoriatit të Trashëgimisë Kulturore.

Nga fillimi ju kemi treguar që janë duke e shkelur ligjin me dy këmbë. Por ata vazhduan me qasjen e tyre shpërfillëse, e për më keq, na akuzuan për bllokim.

Nuk i morën lejet e nevojshme, nuk i konsultuan banorët, nuk i zgjidhën çështjet pronësore, lidhën kontratë të kundërligjshme, gjykata dy herë ua refuzoi kërkesën për pezullim.

Zgjidhjet e qëndrueshme për Prishtinën do të nisin pas 12 Tetorit. Me vizion zhvillimor dhe me ligjshmëri të plotë.