Lajme

Prishtinë, dy vjet burgim për të akuzuarin për shtytje në vepra terroriste

03/07/2024 16:10
nga:Y I

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka shpallur aktgjykim dënues për një të akuzuar për “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ai është dënuar me 2 vjet burgim dhe me gjobë 3 mijë euro.

“I akuzuari L.B është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy ( 2 ) vite, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe në masën e arrestit shtëpiak nga data 15 maj 2023 deri me 07.03.2024 dhe dënim me gjobë në shumë prej tre mijë euro (3.000 €), të cilin dënim i akuzuari duhet ta paguaj në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.”

“Nga i akuzuari gjykata konfiskon përgjithmonë sendet e luajtshme, si mjete që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe sendet që i nënshtrohen automatikisht konfiskimit, të cilat janë sekuestruar përkohësisht me vendimin e Gjykatës, si sende të përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale. Obligohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të procedurës gjyqësore, në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej njëqind €uro ( 100 €), në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, po ashtu obligohet i akuzuari që në emër të kompensimit të viktimave të krimit të paguajë shumën prej njëqind euro (100 €), në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.”

“Në bazë të nenit 367 paragrafi 1 të Kodit të Procedures Penale të Republikës së Kosovës, pas shpalljes së aktgjykimit, gjykata i udhëzon palët për të drejtën në ankesë. Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.”