Lajme

“Gjykata Kushtetuese nuk është çerdhe për fëmijë”/ Arifi për tërheqjen e kërkesës nga Osmani: Duket si lojë politike

08/07/2025 14:43
nga:G B

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për tërheqjen e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese lidhur me seancën konstituive, nga presidentja Vjosa Osmani.

Sipas tij, kjo po duket më shumë si lojë politike dhe jo parimore, pasi kjo nënkupton që nuk është dashur të pranohen as dy vendimet e para të kësaj gjykate.

“Pavarësisht se çfarë informata ka, deklarimet dhe veprimet dallojnë shumë, s’ka pasur veprime këto 4 vite e gjysmë. Po i bie pra që edhe vendimi i parë dhe i dytë nuk do të duhej të pranoheshin sepse i njëjti gjyqtar ka votuar për to. Kjo po duket si lojë politike se sa çështje parimore. Kjo po nënkupton që po kërkohet një lloj delegjitimimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse kjo e fundit nuk e ka për obligim t’i tregojë deputetëve rrugën për të shkuar në Kuvend, aq banale e kanë bërë tërë çështjen, edhe presidenca. Pra Gjykata Kushtetuese është kur ka shkelje kushtetuese dhe kur cenohet rendi kushtetues. Rendi kushtetues është cenuar, mos konstituimi i kuvendit është direkt goditje e rendit kushtetues”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kushtetuesja nuk është çerdhe për fëmijë dhe ajo duhet t’i ndëshkojë deputetët për shkeljen që kanë bërë.

“Kushtetuesja nuk është edukatore, nuk është çerdhe për fëmijë, aq e kanë banalizuar. Ajo duhet t’i ndëshkojë deputetët për mos konstituim për 30 ditët e caktuara. Sipas meje, ajo nuk do të duhej t’i lejonte deputetët të kandidonin në zgjedhjet e ardhshme nacionale”, ka shtuar ai.

Arifi ka vlerësuar se mundësia tjetër është që t’i jepet mundësi personit të dytë, dhe nëse nuk bëhet, të shkohet në zgjedhje.

“Tjetra është që mund t’i jepet një personit të dytë, nga e njëjta parti por që personi i njëjtë që njëherë nuk kalon, t’i hiqet e drejta dhe t’i jepet personit të dytë, të jepet një afat i caktuar kohor dhe nëse nuk bëhet, të shkohet në zgjedhje. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje por për këtë elitë politike të çmendur është e vetmja mundësi, ata duhet të turpërohen para qytetarëve por edhe qytetarët duhet ta dinë kë po e votojnë dhe pasojat. Këta e kanë shkelur Kushtetutën, andaj thash që Kushtetuesja është para një veprimi të çmendur dhe do ta ketë të vështirë ta marrë një vendim sepse çfarë vendimi do ta prekë frymën kushtetuese”, ka deklaruar Dritëro Arifi./Gazeta Blic/