Lajme

Gjykata kërkon nga Dogana t’ua sigurojë procesverbalin dhe vendimin për procedurën disiplinore ndaj doganierit të akuzuar për korrupsion

07/20/2022 15:13
nga:G B

Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën në gjykimin ku doganieri Artan Ferati po akuzohet për keqpërdorim të pozitës, sipas detyrës zyrtare ka kërkuar që Dogana e Kosovës t’i sigurojë procesverbalin dhe vendimin për procedurën disiplinore që ishte zhvilluar nga kjo e fundit ndaj Feratit.

Kjo pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Ferati, avokati Florent Latifaj, gjykatës i ka propozuar të sigurohet një video-incizim i kamerave të ngjarjes kritike për të cilat i mbrojturi i tij pretendon se me të njëjtën është ballafaquar para komisionit disiplinor të zhvilluar ndaj tij në Doganën e Kosovës, e  që sipas tyre në gjykatë nuk është parë deri më tani ky video-incizim.

Në këtë rast për falsifikim të dokumentit zyrtar po akuzohet edhe Besnik Beshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, meqenëse kanë kaluar më shumë se tre muaj ky shqyrtim ka filluar rishtazi me ç’rast palët janë pajtuar që të konstatohen si të lexuara të gjitha procesverbalet dhe veprimet e ndërmarra deri më tani.

Fillimisht, pas kërkesës së avokatit Latifaj në këtë seancë janë shikuar disa video-incizime të pamjeve të vendit të ngjarjes, mirëpo sipas Latifaj në këto pamje po mungonte edhe vështrimi i pamjes së një kamere tjetër nga hyrja e objektit ku ishte shkatërruar malli.

“Janë shiku CD-të që na tregoi prokurori qetashti, po mungon një pjesë komplet, atëherë të obligohet Dogana e Kosovës që kamera e cila nga brenda objektit e rrok pamjen e jashtme, oborrin, me çka do të vërtetohej se kamioni ka qëndrua aty është parku dhe se Selimi është kthyer prap në vendin e ngjarjes dhe se ky palët i ka lajmërua, Driton Azemi ish dëshmitari këtu, se kombi paska ikur nga vendi i ngjarjes”, tha avokati Latifaj.

Propozimi i avokatit Latifaj është kundërshtuar nga prokurori Shkelzen Ibrahimi, me arsyetimin se CD me të gjitha video-incizimet tashmë janë shikuar në këtë këtë shqyrtim gjyqësor, dhe se mbrojtja po kërkon një pjesë të video-incizimit i cili nuk dihet nëse ka ekzistuar.

“Për më tepër një pretendim i tillë i të pandehurit se kombi ka qenë i parkuar jashtë, se ka shkuar me përfaqësuesin e markës tregtare për të pirë kafe, bie në kundërshtim edhe me vet mbrojtjen e tij të dhënë para përfaqësuesve të Doganës së Kosovës të datës 01.04.2016 ku thotë se “Unë kam qëndruar fillimisht aty, ku procesi i shkatërrimit të mallit të vazhdonte meqenëse orari i ngjeshur kam dal që të marrë diçka për ushqim. Unë nuk e kam parë si të rrezikshëm procesin e shkatërrimit se nuk ka ndodh ma herët që gjatë procesit të shkatërrimit të ketë ndonjë parregullsi”, tha prokurori Ibrahimi.

Për këtë avokati Latifaj ka lexuar deklaratën e të akuzuarit të dhënë në prokurori e cila sipas tij, është me saktë se ajo e dhënë në Doganë, ku i njëjti sipas tij, kishte deklaruar “pasi që avokati kishte shëndet të lig dhe më kërkoi që të ulemi që të pushojmë pak dhe më tha se ishte para kolapsit ngase ishte me insulina derisa shkatërroheshin mallrat, avokati i obligoi punëtoret që të mshelin furgonin, të ndalojin punën e shkatërrimit të mallit deri sa të kthehemi…”.

Por se sipas prokurorit Ibrahimi deklarimi i të akuzuarit të dhënë në Doganën e Kosovës është më i saktë pasi që ka qenë më i freskët.

Kundërshtimin e prokurorit Ibrahimi e ka përkrahur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Doganës së Kosovës, Bekim Behrami.

Ndërsa avokati Latifaj ka pretenduar se sipas tij, është duke u “kamufluar diçka”, nga ana e Doganës së Kosovës, pasi që sipas tij, në asnjërën nga CD e shikuara nuk është pjesa pas orës 14:55 e tutje, respektivisht siç tha ai, mungon komplet pamja e jashtme.

“Ku mundet me pas kamere me rrok brenda e mos me rrok para ndërtesës. Këtë pjesë, i mbrojturi im është ballafaquar në Doganë në kuadër të Komisionit Disiplinor ku i njëjti pretendon se shihet duke ardhur aty dhe takohet me hetuesit doganorë, dhe paraprakisht shihet aty kombi duke  parkuar jashtë objektit. Nëse edhe këta nuk e kanë atë CD, atëherë unë kom me kërkua me thirr pronarin e ndërtesës me pyet a ki kamerë jashtë, sepse këta e kanë humb atë CD e kanë zhduk”, tha avokati Latifaj.

Lidhur me këtë përfaqësuesi Behrami ka thënë se Dogana e Kosovës e ka bërë hetimin dhe se zyrtari doganorë që ka zhvilluar hetimin e këtij rasti, të gjitha provat i ka përcjellë tek prokurori i shtetit.

Andaj, avokati Latifaj gjykatës i ka propozuar që të bëhet sigurimi i CD-së si dhe të ftohet kryetari i komisionit disiplinor të Doganës së Kosovës në procedurën që ishte zhvilluar ndaj të akuzuarit Ferati, Fisnik Nuli në mënyrë që të sqarohet lidhur me këtë ngjarje.

E nëse nuk ka zgjidhje tjetër, avokati Latifaj ka kërkuar nga gjykata që të ftohet pronari i objektit ku është bërë shkatërrimi i mallit që i njëjti të tregoj nëse ka pasur kamerë të vendosur në hyrje të objektit.

Mirëpo ky propozim është kundërshtuar nga prokurori Ibrahimi.

“Sa i përket Fisnik Nulit, e kundërshtoj sepse ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk besoj që ai e mban mend CD që i ka shikuar, nuk po e mbaj në mend unë këtu për CD që i kemi shikua para 3-4 muajve. Gjithashtu kundërshtoj dëgjimin e pronarit të objektit sepse dogana incizimet i ka marrë nga ata dhe nuk ka pasur asnjë arsye për me kamuflua gjendjen faktike”, tha prokurori Ibrahimi.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuari Beshi, avokati Agron Karatashi nuk i ka kundërshtuar këto propozim pasi që sipas tij do të ndihmojnë në ndriçimin e rastit.

Andaj gjykata ka marrë vendim që fillimisht të sigurohet procesverbali i seancës dëgjimore në procedurën disiplinore ndaj të akuzuarit Feratit dhe vendimin mbi çështjen disiplinore, e cila është udhëhequr para doganës, në mënyrë që të vërtetohet saktë se a është proceduar si provë video-incizimi të cilës i referohet mbrojtësi në propozimin e tij.

Pas marrjes së këtyre provave gjykatësja Murseli tha se gjykata jashtë seancës do të vendos lidhur me propozimin për dëgjimin e dy dëshmitarëve të lartcekur.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 28 korrik 2022 në orën 13:00.

Paraprakisht në këtë seancë përfaqësuesi Behrami është deklaruar për aktgjykimin e paraqitur si provë nga avokati Karatash në seancën e 21 dhjetori 2021 për të cilën prokurori Ibrahimi kishte kërkuar që të shtyhet seanca meqenëse Behrami nuk ishte prezent.

Lidhur me këtë aktgjykim, përfaqësuesi Behrami ka thënë se kanë pranuar një vendim nga Gjykata e Apelit se rasti është kthyer në rigjykim në të cilën seancë ai tha se e kishte në të njëjtën ditë në Gjykatën Themelore në Prizren.

“Sa i përket aktgjykimit C.nr.1150/2016 Dogana e Kosovës me numër protokolli 7153/07042022 ka pranuar aktvendim nga Gjykata e Apelit të Kosovës me numër AC.nr.3171/20 të datës 21.02.2022, ku në këtë aktvendim prishet aktgjykimi i shkallës së parë dhe lënda kthehet në rivendosje të së njëjtës gjykatë. Gjykata e njejtë themelore në Prizren ka caktuar sot seancë për këtë çështje dhe unë konkretisht duhet të marrë pjesë në këtë seancë në orën 13:30”, tha Behrami.

Ndryshe, bashkë me të pandehurit Beshi dhe Ferati janë akuzuar edhe avokati Xhevdet Rama dhe punëtori i kompanisë “Bashkimi”, Avdullah Latifi, për të cilët, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2019, e kishte aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të lidhur mes tyre dhe prokurorisë.

Më 22 mars 2019, Rama ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, i cili dënim ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 2 mijë e 500 euro.

Kurse, i akuzuari Latifi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Edhe dënimi me burgim ndaj tij është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro.

Përveç tyre, të akuzuar kishin qenë edhe Flamur Hoti e Selatin Krasniqi. Hoti akuzohej për falsifikim të dokumentit zyrtar, ndërsa Krasniqi për mashtrim të konsumatorëve. Ndaj të njëjtëve, ishte hudhur poshtë aktakuza dhe kishte pushuar ndjekja penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 korrik 2016, Xhevdet Rama me dashje kishte ndihmuar doganierin Artan Ferati për të kryer vepër penale me vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale.

Siç thuhet në aktakuzë, më 1 prill 2016, rreth orës 13:30, duke përcjellë me veturën e tij furgonin që e kishte drejtuar, i akuzuari Selatin Krasniqi, me vetëdije të plotë e kishte transportuar oficerin doganor Artan Ferati prej ZBD në Prizren, deri në Prishtinë.

Më pas thuhet se me të arritur në SHPK “Eri Group” për asgjësim të 2 mijë e 880 copë të parfumeve “Paco Rabane 1 Milion”, si produkte të ndaluara, të importuara nga Kina prej importuesit N.T.T.SH “Te Bashkimi”, me pronar Bashkim Latifin, me dëshirë që i akuzuari Ferati të mos përkujdesej për mbarëvajtjen e procesit të shkarkimit dhe shkatërrimit të plotë të mallit të falsifikuar, sipas urdhrit të të akuzuarit Rama, punëtorët fizik i kishin nxjerrë vetëm dy paketa dhe i kishin dërguar te presa, ku ato ishin asgjësuar.

Tutje, thuhet se paketat tjera nuk ishin shkarkuar nga furgoni dhe me to ishte larguar furgoni i drejtuar nga Avdullah Latifi.

Pastaj, sipas aktakuzës, këtë furgon e kishin ndaluar hetuesit e kundër kontrabandës së Doganës së Kosovës dhe gjatë kontrollit kishin gjetur dhe konfiskuar parfumet e destinuara për shkarkim, kurse i akuzuari Ferati ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë më të akuzuarin Krasniqi, e më pas ishte larguar edhe i akuzuari Rama.

Ndërkaq, i akuzuari Latifi po dyshohet se së bashku me të akuzuarin Artan Fertai, si persona zyrtarë kishin shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe nuk i kishin përmbushur detyrat me qëllim që tjetri të fitojë dobi pasurore.

Këtë thuhet se e kanë bërë më 1 prill 2016, gjatë procesit të asgjësimit të produkteve të parfumit, i akuzuari Ferati si doganier dhe i akuzuari Latifi punëtor në NP ”Te Bashkimi” në Prishtinë, pas shkatërrimit të dy paketave, nuk ishin interesuar edhe për shkarkimin e produkteve të tjera të mbetura në furgon dhe asgjësimin e tyre përmes presës speciale.

E pas konfiskimit të të njëjtave nga Njësiti Anti-Kontrabandë i Doganës së Kosovës, Latifi i kishte prezantuar hetuesve dy fatura dhe kuponë fiskal me shënimin kinse po transportohet ujë tualeti.

Të akuzuarin Latifi, prokuroria e ngarkonte me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ramën e akuzonte për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.