Në një intervistë parazgjedhore për TV E nga Podgorica, Milo Gjukanoviq ka folur sërish për meritat e tij në fitimin e pavarësisë së Malit të Zi, përcjellë GazetaBlic.
Gjithashtu, presidenti aktual malazez dhe pretendenti për një mandat tjetër, foli edhe për anëtarësimin në NATO dhe besimin se vendi do të futet në BE dhe një pjesë të mirë ia kushtoi Serbisë, duke theksuar se Mali i Zi dhe ai personalisht janë duke vuajtur vazhdimisht nga fushata agresive e Beogradit.
Ai ia kushtoi një pjesë të madhe të intervistës situatës në Ballkanin Perëndimor, me fokus Serbinë, duke gjykuar se është momenti i fundit që Ballkani t’i drejtohet mjedisit të tij natyror evropian, drejt qëllimit evropian.
Gjukanoviq theksoi se Mali i Zi dhe ai personalisht vuajnë, siç tha ai, nga një fushatë agresive nga Beogradi, e cila, sipas tij, filloi në vitin 1994 me rubrikat e bashkëshortes së atëhershme të Presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe vazhdon në vazhdimësi deri më sot.
“Prandaj sot në opinionin nacionalist të Serbisë, Milo Gjukanoviq dhe DPS-ja shihen si selia e Malit të Zi. Ata i shtojnë fjalët Mali i Zi antiserb. Pse e shtojnë atë fjalë? Sepse për ta Mali i Zi është i mirë vetëm si pjesë e ‘botës së tyre serbe’. Dhe në fakt, ata nuk kanë asnjë provë që të vërtetojë se unë ose autoritetet malazeze kemi ndërmarrë vazhdimisht ndonjë veprim antiserb”, pohon Gjukanoviq.
Gjukanoviq pohon gjithashtu se, falë politikave të gabuara shtetërore, shoqëria serbe ende nuk arriti të zgjidhë dilemën bazë nëse do të jetë në anën e agresorit apo viktimës në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.
Ai thotë se Rusia po përpiqet t’i ndalë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i largojë nga rruga e tyre drejt Evropës dhe NATO-s.
“E bën në mënyrë tradicionale, duke aktivizuar politikat më retrograde, në këtë rast politikat më retrograde nacionaliste në Ballkan. Prandaj nacionalistët serbë të mëdhenj ngritën kokën përsëri, prandaj e replikojnë botën ruse me botën serbe. Prandaj duan të rifitojnë të drejtën, siç mendojnë ata, të drejtën natyrore ndaj Malit të Zi, për të justifikuar humbjen e Kosovës për publikun e tyre. Këto janë arsyet pse sot po bëhet një fushatë e fortë kundër pushtetit të kaluar dhe kundër meje personalisht”, shpjegoni Gjukanoviq, përcjellë GazetaBlic.


