Lajme

Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, psikologia Shahini jep detajet për ndikimin e tyre te fëmijët

05/07/2024 17:35
nga:N K

Gjuha e urrejtjes kohëve të fundit është e pranishme shumë në rrjetet sociale në vendin tonë. Ajo më së shumti është e shfaqur në rrjetin social Tiktok.

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për Gazeta Blic, psikologia klinike, Donika Shahini, ka treguar për ndikimin e gjuhës së urrejtjes tek fëmijët dhe monitorimin e gjuhës që përdoret në rrjetet sociale në shtetin e Kosovës.

“Gjuha e urrejtjes është prezent në rrjetet sociale në Kosovë dhe është faktori kyç që ndikon tek personat që komentojnë nëpër rrjetet sociale, duke nxitur edhe më shumë dhunën. Duke përdorur gjuhë të urrejtjes ata shprehin mosbesimin në veten e tyre dhe mos trajtimin psikologjik të nevojshëm nga aspekti profesional dhe si gjendje e tillë, e përdorur nga kushdo, me automatizëm e njëjta në një formë apo tjetrën ndikon te gjeneratat e reja”, deklaroi ajo.

Sipas psikologes Shahini, gjuha e urrejtjes është mendim dhunues për vajzat dhe djemtë.

“Për të gjitha vajzat dhe djemtë, tolerimi i dhunës virtuale është shqetësues dhe shtypës. Në shumë raste edhe me pasoja shumë të rënda për shëndetin mendor dhe fizik. Trajtojmë raste edhe të lëndimit të vetes dhe tentim vetëvrasjes pikërisht nga gjuha e urrejtjes dhe linçimi në rrjetet sociale. Kjo gjuhë është manifestim i mendimit, ndërkohë që pas saj ngelet vetëm veprimi. Gjuha e urrejtjes është skandaloze, e papranueshme dhe nga e cila do të duhej të distancoheshin të gjithë. Kjo nuk është thjesht gjuhë, kjo është dhunë dhe si e tillë duhet të cilësohet. Ky lloj mendimi nuk është mendim i lirë, por mendim dhunues”, tha ajo.

Çfarë mund të sjell gjuha e urrejtjes?

“Gjuha e urrejtjes mund të nxisë edhe më shumë dhunë. Faktori numër një sipas të gjitha analizave që janë bërë, shpesh ngatërrohet të shprehurit e lirë dhe të shprehurit me anë të urrejtjes. Në nxitje të gjuhës së urrejtjes bëjnë vend profilet e rrejshme të cilat janë të pranishme kudo. Duhet që me kujdes të veçantë të monitorohet kjo gjuhë qe po përdoret në rrjete sociale, sepse është shumë e rrezikshme. Ndaj këtyre fenomeneve nuk mund të jemi spektatorë, sepse rezultatet e gjuhës së urrejtjes dihet ku na dërgojnë. Prandaj me urgjencë duhet të veprojmë duke promovuar tolerancë dhe respekt përmes psikoterapisë, mediave, kulturës, artit, politikës, universiteteve dhe nga çdo sferë tjetër”, tha tutje ajo.

Shahini potencoi se problemet e shoqërisë në vendin tonë nuk përmirësohet me ofendime dhe sharje por vetëm me punë.

“Liria e shprehjes ka limitet e saja, këto limite fillojnë aty ku gjuha e urrejtjes fillon aty ku dinjiteti i tjetrit dhunohet. Kur unë flas kundër gjuhës së urrejtjes, besoj fort në vlerat e një e shoqërie të lirë. Besoj fort në lirinë e shprehjes, por edhe besoj që liria e shprehjes nuk nënkupton lirinë për të sharë, linçuar e ofenduar të tjerët mbi bazën e mllefosjes tuaj me botën dhe me këdo. Problemet tona shoqërore nuk përmirësohen me sharje, nuk përmirësohen me gjuhën e urrejtjes. Problemet tona përmirësohen vetëm me punë. Çdoherë kemi të drejtë të mos pajtoheni me mendimet e tjerëve. Edhe të jemi të bindur që nuk ka fuqi me të madhe se sa një përgjigje me fakte konkrete pa sharje dhe ofendime. Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale është shqetësuese dhe po kalon në çmenduri kolektive”, theksoi ajo.

“Rrjetet sociale nuk kanë kontroll lidhur me komentet, ato janë pjesë qoftë e administratorit të faqes ose edhe të profilit të kujtdo që e përdorë drejtpërdrejtë është obligim i çdo kujt i cili poston dhe pastaj lejon fjalët të cilat nuk duhet të përdoreshin në gjuhën e përditshme apo gjuhë të urrejtjes apo çfarëdo lloji tjetër është në përgjegjësi të personit i cili ka bërë postimin qoftë në fanpage qoftë në profilin e tij”, përfundoi psikologia klinike Donika Shahini./Gazeta Blic/