Komentatori i njohur kosovar, Arben Berisha i cili dhuroi emocione për shikuesit të sportit në Kosovë për vite me radhë ishte i ftuar në “Blic Interview”, aty ku mes shumë temave foli edhe për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Euro 2024.
Për ‘kuqezinjtë’ ishte hera e dytë që morën pjesë në Kampionate Evropiane duke bërë paraqitje dinjitoze me rekorde të thyera siç ishte goli i Nedim Bajramit që hyri në histori si goli më i shpejtë i shënuar në një kompeticion të tillë. Bajrami gjeti golin ndaj Italisë vetëm pas 23 sekondave duke dhënë shumë emocione për adhuruesit shqiptarë të futbollit, shkruan GazetaBlic.
Përveç paraqitjeve të mira në fushë, mbështetjes fantastike të tifozëve dhe shembullit se si përkrahet kombëtarja. Disa incidente e shoqëruan Shqipërinë në “Euro 2024”, siç ishte rasti i Mirlind Dakut i cili mori pjesë në sharjet ndaj serbëve dhe maqedonëve meqë rast pasoi edhe dënimi nga UEFA për sulmuesin shqiptar.
Berisha komentoi edhe këtë rast duke thënë se kjo nuk duhet të kishte ndodhur.
“Mendoj që gjesti Mirlind Dakut ka ndodhur për shkak se e ka mbërthyer pak atmosfera. Ai hyri në lojë dhe ishte ndeshja e parë që u aktivizua, atmosfera të mbërthenë, jo vetëm kur je tifoz e futbollist, por edhe kur je komentator. Në fillimet e secilit lojtar situata të tilla edhe mund të ndodhin, por natyrisht çka ka qenë e patolerueshme gjuha e përdorur, nuk i përket një futbollisti ta bëjë një gjë të tillë, sepse në fund të fundit, ai e mori dënimin, ai ia bëri sherrin vetes, një lojtar që do të mund të luante edhe kundër Spanjës, kush e di ndoshta edhe do të shënonte. Dakun e ka mposhtur atmosfera, kur je në një prani të tillë të publikut, kur publiku kërkon shumë, është i nxehur edhe në aspektin nacionalist, besoj që futbollistët duhet paraprakisht të udhëzohen nga stafi përgjegjës i kombëtares që të udhëzohen të mos bijnë në situata të tilla, sepse ato mund të ndodhin. Aq më tepër kjo gjë ndodhi në një ndeshje Shqipëri – Kroaci, kur të dyja palët e kishin të njëjtin armik, pra kishin problemin me Serbinë. Unë mendoj se Daku nuk e ka menduar, këtë gjë, por ai ka rënë në grackë dhe e ka mbërthyer atmosfera”, tha Berisha për BlicInterview.
/GazetaBlic/


