11 janari i këtij viti shënoi zyrtarisht nisjen e fushatës për të gjitha partitë politike në vend, për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Mirëpo, gjatë tubimeve zgjedhore e prezantimit të programeve të tyre, këto subjekte politike nuk kursyen gjuhën e ashpër ndaj njëra-tjetrës.
Lidhur me këtë reagoi edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke shqiptuar gjoba ndaj tyre.
Por, GazetaBlic ka siguruar totalin e gjobave të shqiptuara ndaj këtyre subjekteve politike.
Deri më sot (26.01.2025), PZAP ka shqiptuar plot 273,400.00 euro.
“PZAP ju njofton se deri me datën 26.01.2025, totali i gjobave të shqiptuara ndaj Subjekteve Politike për procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen me 09.02.2025 është 273,400.00 euro”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së.
Ndërsa, juristi Ehat Miftaraj, në një intervistë dhënë për GazetaBlic tha se zgjedhjet e 9 shkurtit po përballen me një fenomen të ri.
Kështu, Miftaraj veçoi partinë në pushtet, duke theksuar se gjuha e tyre është e papërshtatshme e ofenduese.
“Fatkeqësisht, mund të themi që këto zgjedhje po ballafaqohen me një fenomen të ri, ku partitë politike me theks të veçantë partia në pushtet po përdor një gjuhë të papërshtatshme, po përdor një gjuhë ofenduese, jo vetëm ndaj kandidatëve, por edhe ndaj vet partive politike. Sigurisht, kjo nuk i kontribuon zgjedhjeve të lira demokratike, por ngrit edhe shqetësimin e opinionit publik ku qytetarët marrin informata të paverifikuara, informata të rrejshme të cilat në njëfarë mënyre mund të kenë ndikim qoftë në ditën e zgjedhjeve, por le të shpresojmë që nuk do të ketë një rast ku mund të ketë sulme, qoftë ndaj kandidatëve apo qoftë edhe ndaj mediave, ku e kemi parë që partia në pushtet nuk po i kursen as vet mediat”, tha ai për GazetaBlic.
Miftaraj gjithashtu thekson se partitë politike duhet të respektojnë vendimet e PZAP-së, që sipas tij, duhet të mos i përsëritin gabimet që janë duke i bërë.
“Ligji për zgjedhje do të thotë e ka dhënë mundësinë PZAP-së që përmes ankesave, përmes mënyrave që ata veprojnë të shqiptojnë gjoba në rastet kur kandidatët apo partitë politike shkelin obligimet që dalin nga ligjet pë zgjedhjet. Në bazë të ligjit, PZAP mund të shqiptojë deri në 50 mijë euro, varësisht prej asaj që ata e vlerësojnë, shkeljen, intenesitetit apo gjuha që mund të përdoret apo veprimet që marrin subjektet politike apo kandidatët. Është me rëndësi që vendimeve të PZAP-së, partitë politike kanë të drejtë të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme, mund të themi që deri më tani PZAP është duke e bërë punën e tyre, sigurisht që parititë politike duhet të respektojnë, duhet të mos i përsëritin gabimet që janë duke i bërë në rastet kur po gjobiten nga PZAP”, potencoi Ehat Miftaraj./Gazeta Blic/