Sporti

Gjokaj i pëlqyer nga disa skuadra, Drenica pritet ta lirojë për ofertën më të mirë

12/18/2023 17:22
nga:Mergim Rreci

Altin Gjokaj është në mesin e portierëve më të mirë të futbollit kosovar.

Portieri kosovar spikati edhe në edicionin vjeshtor me paraqitjet e tij tek Drenica, duke shkëlqyer në portën e skuadrës nga Skenderaj.

Ai poashtu ishte titullar tek ndeshjet që Kosova U21 i zhvilloi dhe ishte një garanci e shtuar në skuadrën e drejtuar nga trajneri Afrim Tovërlani.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport‘, ai tha se pritet të bëjë hapin tjetër, duke synuar rikthimin sa më të shpejtë në Superligë.

“E pranoj që kam oferta nga Superliga, jemi duke i diskutuar me klubin, besoj se nga janari do të jem pjesë e Superligës, nuk e di se në cilin ekip, por Drenica nuk do të jetë pengesë për transferimin tim. Shpresoj që së shpejti të kaloj në Superligë”, tha fillimisht Gjokaj.

Tutje, ai tha se synon që brenda 3 vitesh të dal në Evropë, por edhe kalimin e madh tek Kombëtarja A.

“Në cilin klub do të jetë e ardhmja ime, nuk e di, por premtoj angazhim dhe seriozitet pasi është për të ardhmen time dhe karrierën time, tani është koha të tregoj vlerat dhe potencialin tim, besoj se brenda 3 vitesh do transferohem në një klub në Evropë. Gjithashtu, do të synoj paraqitje edhe më të mira tek Kosova U21, pse jo një ditë të jem edhe tek Kosova A”, përfundoi Gjokaj.