Katër xhiro para përfundimit të sezonit 2020/21, klubi i Shkëndijës ka fituar edhe zyrtarisht titullin në kampionatin elitar në Maqedoninë e Veriut.
Shkëndija e Tetovës siguroi matematikisht titullin kampion, 4 javë përpara fundit pasi e thelloi në 13 pikë avantazhin ndaj Shkupit të vendit të dytë pas fitores 3:1 ndaj Borecit.
Skuadra e madhe shqiptare ka arritur këtë triumf për herë të katërt në histori të klubit, shkruan GazetaBlic Sport.
Ky titull i fituar ka shumë rëndësi edhe për trajnerin e Shkëndijës, Ernest Gjoka, i cili për herë të parë në karrierë si trajner fiton trofe jashtë Shqipërisë. Ky është titulli i tij i parë i fituar me Shkëndijën.
Trajneri i Shkëndijës, Ernest Gjoka thotë që titulli i fituar është një sukses i madh për të, pasi ka arritur objektivin e parë me klubin shqiptar që garon në Maqedoninë e Veriut.
“Sigurisht është një titull i fituar jashtë Shqipërisë, është një sukses i bukur, mbi të gjitha më bëhet shumë qejfi dhe jam shumë i lumtur, sepse atë që thamë kur arrita të Shkënija, atë edhe kemi bërë, kështu që kjo është një bukuri e madhe, sepse kjo është puna e trajnerit, të shkojmë në skuadra, të japim më të mirën e mundshme dhe të arrijmë objektivat, e të marrim trofe, e sigurisht tek Shkëndija që është diçka shumë specifike, pasi është një klub shumë i madh për të gjithë ne shqiptarët, sepse ka një specifik ndryshe të dalësh kampion me Shkëndijën“, tha fillimisht Ernest Gjoka për ‘GazetaBlic Sport’.
Më pas, trajneri 51 vjeçar thotë që në ndeshjet e mbetura të kampionatit skuadra duhet ta ruajë formën dhe lojtarët që kanë pasur më pak minutazh do të luajmë më shumë.
“Sigurisht që edhe katër ndeshje kemi deri në përfundim, ne skuadrën kemi filluar ta bëjmë gati, sepse për këtë skuadër është investu gati një vit, sepse kjo është skuadër më ndryshe, pasi në momentin që erdha unë, gjërat ndyrshuan në strukturë, në marrëdhënie dhe buxhet. Poashtu skuadra që ishte, gati, gati u largua e gjitha dhe brenda një viti kemi bërë një skuadër të re për Europë. Sivjet, jemi në një rrugë të mbarë me këtë projekt dhe buxhet që kemi, sigurisht që katër ndeshjet e mbetura do të jenë të rëndësishme edhe për vazhdimësinë dhe pse jo ta mbyllim pa humbje, por edhe për t’i dhënë minutazh lojtarëve që janë pjesë e jona, e s’kanë pasur minutazh deri tani”, vazhdoi ai.
Në fund, Gjoka tha se shpreson, beson dhe mendon që me pak fat, Shkëndija mund të luajë në grupet e ndonjë kompeticioni evropian për edicionin e ardhshëm.
“Çdo skuadër sado e mirë të jetë, ka nevojë për një afrim shumë cilësor edhe Shkëndija është një skuadër që mund t’i duhet një afrim cilësor, por e thashë edhe më herët që ne tani kemi një projekt ndryshe dhe kemi një buxhet më të vogël sesa viteve të kaluara dhe mendoj që me këtë projekt që kemi, me këtë buxhet që kemi, sigurisht që të shkosh në Europë duhen shumë suksese, sepse porta e Evropës është shumë e rëndë për t’u hapur, por unë mendoj, besoj dhe shpresoj që me pak fat, që Shkëndija ta arrijë atë objektiv që ka kaq vite që po e kërkon”, përfundoi Gjoka.
/GazetaBlic Sport



