Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka njoftuar se ka shqiptuar gjoba për katër shoferë që me automjete shkaktuan kundërvajtje në komunikacion.
Në njoftimin e policisë thuhet se njëri është përjashtuar nga komunikacioni ngaqë nuk e kishte të dhënë as provimin për patentë shofer.
“Në lidhje me këtë, policia ndaj 3 shoferëve që tejkaluan në vijë të plotë u shqiptoi nga një gjobë sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 150 euro, 2 pikë negative dhe 3 muaj heqje e patentë shoferit, ndërsa ndaj një shoferi tjetër, policia inicioi fletëparaqitje për gjykatë dhe e përjashtoi nga komunikacioni ngaqë ai veç tejkalimit në vijë të plotë nuk e kishte të dhënë provimin për patentë shofer,” thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, bëhet e ditur se ata në tërësi i pranuan kundërvajtjet e shkaktuara.
“Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit rrugor, ngaqë veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e pjesëmarrësve në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.”
Derisa nga policia zotohen dhe të dhënat e personave që lajmërojnë kundërvajtjet në komunikacion do të ruhen në konfidencialitet të plotë.


