Sporti

Gjobë rekord, spektakli piroteknik i tifozëve i kushton shtrenjtë klubit gjerman

12/15/2023 11:12
nga:Mergim Rreci

Një gjobë rekord është vendosur ndaj klubit Koln, që e ka pësuar për shkak të spektaklit piroteknik të ultrasve në derbin me M’Gladbach. I luajtur në datën 22 tetor, dhe i fituar 3-1 nga Koln.

Tifozët vendas dhuruan “show” përpara nisjes së derbit të zjarrtë. Për disa minuta stadiumi dhe fusha u mbuluan nga tymueset, flakadanët dhe mjetet e tjera piroteknike.

Fillimi i ndeshjes u shty për disa minuta për shkak të tymit të madh, teksa veprimi i ultrasve të Kolnit nuk u prit aspak mirë nga autoritetet gjermane.

Pas rreth 2 muajsh nga derbi, Komiteti i Kontrollit në Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) ka gjobitur Koln për përdorimin e fishekzjarrëve me 595 mijë euro!

Kurrë më parë një klub profesionist gjerman nuk ka marrë një gjobë kaq të lartë për probleme të shkaktuara nga tifozët e tij. Nga kjo shumë, 198,000 euro do të investohen në masat e sigurisë apo parandalimit të dhunës.

“Përdorimi i mjeteve piroteknike është pjesë e futbollit dhe kulturës së tifozëve. Nuk ka nevojë të kalohet asnjë vijë e kuqe. Konkretisht, siguria e spektatorëve duhet të garantohet gjithmonë.

Dhe nuk duhet të ketë pasoja në zhvillimin e ngjarjeve sportive. Këto kufij u tejkaluan qartë kundër Gladbach. Kjo rezulton edhe në dëme të mëdha financiare.

Një gjobë kaq e madhe na godet shumë rëndë në rrugën tonë drejt rimëkëmbjes sa më të shpejtë ekonomike”, lexohet në komunikatën e klubit të Bundesligës.