Lajme

GJKKO shpall të pafajshëm deputetin Gazmend Bardhi për akuzën e shpifjes ndaj OSHEE

01/08/2025 15:24
nga:Y I

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krime të Rënda (GJKKO) shpalli të pafajshëm deputetin e Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili ishte paditur për shpifje nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Akuzat lidhen me një deklaratë të bërë nga Bardhi më 18 tetor të vitit të kaluar, ku ai kishte pohuar se OSHEE ka manipuluar përqindjet e humbjes së energjisë elektrike në rrjet.

Në këtë kontekst, OSHEE ka paditur Bardhin për shpifje, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së ka reaguar duke bërë një kallëzim penal ndaj autoriteteve për dyshime për shpërdorim detyre.

Në seancën e mbajtur këtë të mërkurë, prokurorja Anita Jella konfirmoi se është regjistruar një procedim penal dhe se po kryhen hetime në lidhje me denoncimin e Bardhit.

Megjithatë, pas shqyrtimit të rasteve dhe argumenteve të paraqitura, GJKKO ka vendosur të shpallë deputetin Gazmend Bardhi të pafajshëm në këtë rast.

Përveç këtij procesi, Bardhi po përballet edhe me një tjetër akuzë për shpifje, këtë herë nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. Ky proces vijon të jetë në gjykimin e Gjykatës së Posaçme.