Lajme

GJKKO lë në fuqi masat për Belinda Ballukun

11/22/2025 14:54
nga:Y I

U mbajt këtë të shtunë, 22 nëntor, seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion ku u verifikuan masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Belinda Ballukun. Kjo e fundit u paraqit në SPAK rreth orës 09:00 ku qëndroi për 40 minuta fillimisht.

Më pas, siç bën me dije gazetarja e Klan News, Glidona Daci, avokatët e saj morën kohën e nevojshme për t’u njohur me aktet hetimore dhe ajo u rikthye në godinën institucionale rreth orës 12:00.

La ambientet e gjykatës rreth orës 14:37, pa dhënë asnjë koment për mediat.

“Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) do të zhvillojë një seancë për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të masave dhe sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025. Seanca është caktuar për datën 22 nëntor 2025, ora 09:00”, u njoftua të premten, 21 nëntor, ndërsa pritet që SPAK të reagojë sërish lidhur me gjithçka ka ndodhur sot.

Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.

Masa e “arrestit në shtëpi” u caktua për kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe administratorin e KESH, Erald Elezi, pas hetimeve të kryera për Unazën, specifikisht lotin e katërt të saj. Këta të fundit ishin sot në ambientet e gjykatës, të shoqëruar nga forcat policore. Edhe ndaj tyre, u konfirmua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Në SPAK, ishte edhe Pamela Qirko, avokatja e Ballukut e njëkohësisht motra e saj. As ajo nuk u prononcua.

Kujtojmë se gjatë konferencës së përbashkët me Komisioneren për Zgjerimin Marta Kos, kryeministri Edi Rama bëri me dije se “me këtë vendim arbitrar u cenua pavarësia e ekzekutivit”, megjithatë theksoi se për qeverinë “mbrojtja dhe mbështetja e pavarësisë së organeve të drejtësisë mbetet parakusht”.

Ashtu siç ai vetë e paralajmëroi, qeveria e ankimoi vendimin e Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion në Kushtetuese. Në kërkesën me katër pika kyçe, nënvizohet se vendimi i GJKKO-së ka krijuar një konflikt kompetencash…

Edhe sot, kreu i qeverisë ka ndarë një postim në rrjetet sociale, fjalimin historik të prokurorit amerikan Robert H. Xhekson. Duke cituar fjalët e tij, Rama thekson se “drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet”.