Sporti

Gjithçka që duhet të dini për derbin e sotëm, Belgjikë – Portugali

06/27/2021 15:43
nga:E K

Belgjika do të përballet sot me Portugalinë në kuadër të fazës së parë eliminuese.

Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 21:00, shkruan GazetaBlic Sport.

Belgjika përfundoi grupin B të Kampionatit Evropian si lidere me 9 pikë të grumbulluara në 3 ndeshje, duke shënuar 9 gola dhe pësuar vetëm 1, kurse Portugalia u kualifikua vetëm si e 3’ta e grupit F, grup ky që u konsiderua ‘grupi i vdekjes’ për këtë Kampionat Evropian, Portugalia arkëtoi 4 pikë me 1 fitore 1 barazim dhe 1 humbje, duke shënuar 7 gola dhe pësuar 6.

Në 6 takimet e fundit Belgjika ka 5 fitore dhe 1 barazim duke mos pësuar humbje gjatë këtyre ndeshjeve, kurse Portugalia ka 3 fitore, 2 humbje dhe 1 barazim.

Para takimit kanë folur të dy trajnerët për media.

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, tha se ndeshja ndaj Belgjikës është një finale që duhet fituar.

“Belgjika shënon shumë gola pa u munduar. Ka disa lojtarë që mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës. Është një finale e cila duhet të fitohet e jo të luhet. Ne e dimë që do të kemi kundërshtarë të mirë. Unë besoj, shpresoj dhe jam i bindur se do të paraqitemi mirë “, tha Santos.

Kurse homolugu i tij, Martinez, tha se Belgjika është e motivuar dhe e etur për të ecur përpara në këtë Kampionat Evropian.

“Ne jemi të motivuar dhe të përqendruar. Ndiej shumë eksitim dhe energji në grup. Portugalia është një ekip që përshtatet shpejt me kundërshtarët. Nëse është një ndeshje e hapur apo e mbyllur varet nga ajo që do të ndodhë“, tha Martinez.

Para ndeshjes janë publikuar edhe formacionet e mundshme të këtyre dy kombëtareve.

Formacioni i mundshëm i Belgjikës: Courtois; Alderweireld, Vermaelen, Vertonghen; Meunier, De Bruyne, Witsel, T. Hazard; Carrasco, Lukaku, E. Hazard.

Formacioni i mundshëm i Portugalisë: Rui Patricio; Nelson Semedo, Ruben Dias, Pepe, Guerreiro; Palhinha, Renato Sanches, Joao Moutinho; Bernardo Silva, Ronaldo, Diogo Jota.

/GazetaBlic Sport/