Sporti

Gjithçka gati për prezantimin, Benatia nis aventurën si drejtor në Francë

11/23/2023 16:21
nga:Mergim Rreci

Te Marseille është bërë gjithçka gati me klubin që pritet të prezantojë në rolin e drejtorit sportiv, ish-futbollistin e Juventus dhe Romës, Medi Benatia.

Marokeni do të nisë një aventurë të re në botën e futbollit dhe këtë e bën nga Franca me marsejezët që i besojnë një rol të rëndësishëm dhe me shumë përgjegjësi në klub.

Marseille largoi David Friio që mbante postin e drejtorit sportiv nga qershori i vitit 2022 dhe është pikërisht Benatia që do ta zëvendësojë. Si futbollist, Benatia ka qenë pjesë e Marseille në vitin 2005, por nuk debutoi në asnjë ndeshje duke kaluar një trevjeçar si i huazuar në klube të ndryshme.

Tashmë, 36-vjeçari ka sërish mundësinë ta tregojë veten te Marseille edhe pse në një rol krejtësisht të ndryshëm, atë të zyrtarit.