Lajme

Gjirokastra binjakëzohet me Bujanocin, marrëveshje në arsim, turizëm e kulturë

05/17/2024 18:32
nga:Y I

Qyteti i Gjirokastrës është binjakëzuar me komunën e Bujanocit duke synuar forcimin dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme kryesisht në arsim, kulturë e turizëm.

Kryetarët e dy qyteteve, Flamur Golemi dhe Nagip Arifi nënshkruan marrëveshjen, duke i çelur rrugë zbatimit të projekteve të përbashkëta.

Aktualisht fillesat e këtij bashkëpunimi kanë nisur me mbështetjen e 4 studentëve nga Lugina e Preshevës të cilët studiojnë në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës.

“Kemi filluar edhe hapat e parë për një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës, artistike, aktiviteteve dhe ekonomike dhe kemi filluar duke mbështetur 4 studentët e parë, të cilët aktualisht janë këtu në Gjirokastër, po vazhdojnë studimet në Gjirokastër dhe sot konkluduam dhe përmbyllëm në fakt procesin protokollar dhe burokratik të binjakëzimit të bashkisë Gjirokastër dhe komunës Bujanovc, pavarësisht se janë fizikisht larg më shumë se 500 km po kjo nuk i ndan dy komunitetet tona, nuk i ndan qytetarët shqiptarë të jenë bashkë“, thotw Flamur Golemi, kryetar i Bashkisë Gjirokastër.

“Punën më të madhe që kemi bërë kemi filluar bashkëpunimin në fushën e kulturës, arsimit që nga viti I kaluar 4 studentë nga Bujanoci janë duke studiuar në Gjirokastër në vitin shkollor 2024-2025 do rritet ky numër nga 4 në 10 studentë dhe të gjitha harxhimet e studentëve bashkia e Gjirokastrës i mbulon”, shprehet Nagip Arifi, kryetar i Komunës Bujanoc.

Tashmë Gjirokastra ka një sërë bashkëpunimesh dhe binjakëzimesh me qytete të ndryshme në hapësirën mbarëshqiptare, të cilat po ndikojnë pozitivisht për promovimin e vlerave dhe resurseve të qytetit të gurtë.