Nënkryetari i parë i AAK-së, njëherësh kandidat për deputet, me numër 4, në tubimin hapës të AAK-së në Prishtinë, ka folur se si do të jetë Kosova me listën e tyre për Kosovën Fituese, raporton Gazeta Blic.
Gjini ka kritikuar qeverinë për 4 vjet qeverisje, korrupsion e nepotizëm.
“Lista jonë është lista më e mirë, e ju që jeni në sallë këtu, jeni më të mirët në Kosovë. Atmosferë të tillë deri tani nuk ka pasur në fushatë dhe ta ndërroni fjalimin, por unë prapë dua t’i them disa fjalë për listën për Kosovën fituese, për Kosovën, e cila ka nevojë të jetë fituese dhe jo humbëse në vazhdimësi. Kosova fituese është një vend ku njerëzit janë të lirë, janë kreativ, kanë të drejtë ta zhvillojnë dijen e vet, arsimin, biznesin e vet, pa u tut që dikush do të ketë mendim tjetër e ai ka me qenë në pushtet. Dikush që ka qenë në pushtet nuk i lë njerëzit të jenë të lirë dhe kreativ”, ka thënë ai.
Kandidati për deputet ka thënë se Kosova Fituese do të punojë e jo vetëm të flasë pa bërë punë.
Ai ka kritikuar Kurtin që ka mbrojtur njerëzit e tij të korruptuar, e ka fajësuar opozitën, mediat e Amerikën.
“Deri tash, për 4 vjet edhe për të 5, e kemi një qeveri që mendon se din më mirë se secili edhe në punën e vet, Kosova fituese s’duhet të jetë ashtu, duhet të jetë si ju, si kryeministri Haradinaj, si të gjithë këta kandidatë që i kemi, kjo është Kosova fituese. Duhet të jetë Kosova që duhet t’i përfundojë rrugët, hekurudhat, urat, shkollat, çerdhet e jo të flas për to e mos t’i bëjë. Deri sot e kemi një qeveri që flet e s’bën asgjë, Kosova fituese duhet të jetë ajo që punon, që i kryen punët, jo që flet kopalla. Kosova fituese duhet të jetë me një qeveri të përgjegjshme, që i din detyrat e veta, jo një qeveri që herë ia lë fajin gjyqësorit, herë mediave. Herë opozitës, herë Amerikës, herë vendeve fqinje, por vet i duket që s’ka faj, e krejt fajin e ka vet, Kosova fituese nuk bën të jetë ashtu. Kosova fituese nuk bën të jetë qeveri që mbron korrupsionin. Për korrupsion askush nuk ka folur më shumë se Albin Kurti, por për 4 vjet jo vetëm që i ka të zhytur në korrupsion nga i pari te i fundit, por vet është bërë mburojë e tyre, se për të nuk është me rëndësi ta luftojë korrupsion, sepse po të donte ta luftonte do të nisej prej vetes, prej njerëzve të vet, por luftën kundër korrupsionit e ka parë luftë kundër të tjerëve”, ka deklaruar ndër të tjera Ardian Gjini./Gazeta Blic/