Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Kosovës në një takim të mbajtur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ekspertët të tjerë kanë rënë dakord që gjinekologët të rekomandojnë aplikimin e vaksinave të ndërtuara me teknologjinë e re “mRNA” për gratë riprodhuese dhe ato gjidhënëse.
Në këtë rast Kosova posedon njërën nga këto vaksina, atë Pfizer.
“Kjo është një vaksinë sintetike nuk paraqet ndonjë problem për gratë që duan të mbesin shtatzënë dhe për ato që janë shtatzëna, sikurse që nuk paraqet problem edhe për ato gra që i kanë fëmijët në gji”, deklaroi Kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve, Shefqet Lulaj.
Për këtë lloj vaksinash sipas hulumtuesit mjekësorë Arbër Shehu në Universitetin “Johns Hopkins” , hulumtimet e fundit tregojnë se nuk ka rritje të statistikave qoftë për abort spontan dhe probleme të tjera, në raport me vitet e kaluara, kur nuk ishte COVID-19 dhe as vaksina për këtë sëmundje.
Derisa, gjinekologu Shefqet Lulaj rekomandon se vaksinimi i grave më barrë mund të bëhet në çfarë do fazë, ngase hulumtime tregojnë se vaksinimi nuk ndikon në keq formime tek fryti apo ndonjë implikim.
E, se duhet që këto gra të imunizohen sa më parë e thonë edhe shifrat sa i përket hospitalizimeve të tyre nga COVID-19, jo vetëm në Kosovë.
“Përqindja më e madhe për hospitalizim është e grave shtatzëna të pavaksinuara që janë të infektuara, ku pjesa më e madhe përfundon në kujdesin intensiv, fatkeqësisht edhe me vdekje”, tregon Hulumtuesi Mjekësorë Arbër Shehu në Universitetin “Johns Hopkins”.
Kurse, mantelbardhi Lulaj pret që qendrat e vaksinimit ta përfillin këtë rekomandim duke mos e penguar vaksinimin tek këto raste.