Sporti

Gjimshiti është gati për duelin me Juventusin, do luajë me 10 qepje prej të çarës në kokë

01/14/2025 16:46
nga:Mergim Rreci

Berat Gjimshiti nuk do të humbasë supersfidën e kësaj mesjave në Serinë A.

Mbrojtësi shqiptar, la fushën e lojës që në minutat e parë të sfidës ndaj Udinezes në kampionat në fundjavë, por nuk do të shohë si spektator në tribunë sfidën ndaj Juventusit që Atalanta luan sot.

Futbollisti u ça në vetull pas një përplasje kokë më kokë dhe meqë nuk ndalej hemorragjia, u desh të linte fushën e lojës duke përfunduar në spital.

Atje iu konstatua një traumë në kokë dhe një e çarë për të cilën u deshën 10 qepje për ta mbyllur.

Prania e tij pas këtij dëmtimi ishte në dyshim, por mediat pranë klubit të Atalantës kanë bërë të ditur se Gjimshiti vlerësohet si i gatshëm për sfidën në fjalë.

Trajneri Gasperini e ka grumbulluar për ndeshjen dhe tani mbetet të mësohet nëse do e nisë atë nga fillimi apo nëse do e nisë nga stoli.