Damian Gjiknuri i ka kaluar zyrtarisht sot detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosit ndërsa paralajmëroi se në shtator do të nisë procesi zgjedhor në parti pas analizës së 14 majit.
“Kjo është një ditë e veçantë për mua, pasi pas 2 vitesh ia dorëzoj këtë detyrë një kolegu të nderuar. PS iu nënshtrua një procesi riorganizimi. PS iu nënshtruar një organizimi që nga drejtimi i partisë deri te sekretariatet. Rezultati i zgjedhjeve të fundit PS arriti që të merrte një fitore historike. Dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e ri. PS ka nisur një proces analize mbi këtë rezultat, dhe sekretariatit iu ofrua që të jepej dorëheqje. Në shtator do të jemi në një proces reformimi. Organizatat janë të forta dhe të qëndrueshme kur nxjerrin mësim dhe nga fitoret. I uroj zotit Klosi, që do të dijë të çojë në një stad të mirë organizimin në funksion të betejave elektorale. Suksese.”, tha Gjiknuri.
I pyetur lidhur me shkarkimin e tij nga kryeministri, Gjiknuri tha se nuk ndihej i braktisur nga Rama. Këtu shtoi se jeta e kishte mësuar që t’i bënte ballë të papriturave.
“Befasia për disa dhe interesi që shkakton në rrjetet sociale nuk duhet të përbëjë boshtin nga duhet të orientohet koshienca ime. Pas çdo procesi zgjedhor ne i ushtrohemi një procesi analize. Nuk e quaj në ato terma që ju thoni. Për mua fundi i diçkaje është fillimi i një gjëje të re. Unë jam akuzuar gjithmonë pasi kam mbajtur pozicione kyçe. Nuk është hera e parë që akuzohemi për akuza të karakterit politik. Ka vetëm një drejtësi që i gjykon, dhe jo opinioni publik krijuar nga vatra të ndryshme politike. Personalisht nuk ndjej asnjë lloj braktisje, jam në komunikim të vazhdueshëm me kreun e partisë, është marrëdhënie e qëndrueshme pune. Sa më pozicione të larta te kesh, aq më tepër edhe do sulmohet”, deklaroi Gjiknuri.
I pyetur për përfshirjen e tij në dosjen për hetimin e aferës së inceneratorëve tha se ai është i gatshëm që të japë llogari para drejtësisë.
“Nuk kam propozuar unë që të bëhet impianti djegëseve. Asnjë nuk ka dalë të nxjerrë se unë kam përfituar nga këta njerëz. Këta kur ishin qytetarë të lirë ishin dy njerëz që bënin bizneset e tyre ndër vite në Shqipëri. Njërin e njoh në vitin 2001 (Klodian Zoton) Jeta kështu m’i ka sjellë. Mos i gjykoni veprimet e 10-15 vitave më parë. Këta nuk ishin terroristë ndërkombëtare, por po hetohen për një procedurë të caktuar. Vendimmarrjet që kanë sjellë pasoja apo përftime për to ato janë vepra të gabuara”, tha ai.
Ai u shpreh se nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë, ndërsa shtoi se të njohësh dikë që përfshihet në një çështje penale, nuk të bën të fajshëm.
“Hetimi ka vite që ka nisur, nuk më kanë thirrur ndonjëherë, nëse do më thërrasin natyrshëm do të jap shpjegim. Roli i ministrit të energjisë ka qenë periferik… Ato vepra janë në dobi të publikut, të qytetarëve. Sot në Elbasan ka një vepër që prodhon energji. Vendimet duhen para në kontekst të gjerë. Nuk ndihem i keqardhur. Jam mësuar të lëviz në pozicione të ndryshme. Më pëlqen që ta shoh veten në pozicione prej 360 gradë.
Nuk kam dijeni se ka hetim për pasurinë time nga SPAK, por ato janë të deklaruara dhe unë jam kontrolluar tre herë nga Inspektorati i Lartë. Lidhur me udhëtimet që përmendet ju, ato dy episode që nuk kanë lidhje fare dhe janë para se të zhvillohej procedura nga ministria ime, janë udhëtime zyrtare, por të njohësh dikë nuk të bën të fajshëm.
Nuk duhet të shqetësohem nga fakti që dikush abuzon në emrin tim, unë shqetësohem për aktet që bëj vetë. Moszbatimi i ligjit nga ana ime do të përbente krim. Për çështjen e holeve e dhashë sqarimin tim dhe do ta jap në prokurori kur të thirrem. Në lidhje me interesave korruptive të X apo Y do t’i vërtetojë drejtësia. Jeta kështu na ka sjellë, i njoh të gjithë. Komunikimet i kam vazhduar me kryeministrin. Kam komunikime me të. Nuk është fundi ky, por mund të jetë fillimi i diçkaje tjetër. PS do të vazhdojë funksionin e saj. Unë kam dhënë kontributin tim dhe askush nuk mund të dalë dhe të pohoj kundër”, deklaroi ai.


