Lajme

Gjetje e mbetjeve mortore në Brekoc të Gjakovës – dyshohet se i përkasin personave të zhdukur

07/30/2025 15:07
nga:G B

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar sot për gjetjen e mbetjeve mortore gjatë gërmimeve të kryera në fshatin Brekoc të Gjakovës, që potencialisht mund t’i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës.

Sipas njoftimit, gërmimet janë kryer në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës.

Pas rikthimit në këtë lokacion për gërmime shtesë vlerësuese, ekipet kanë hasur në eshtra që janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm.

Komisioni ka bërë të ditur se, pas analizës antropologjike dhe identifikimit përmes ADN-së, do të informohen familjet përkatëse dhe publiku për rezultatet.

Në njoftim theksohet përkushtimi i Komisionit dhe partnerëve institucionalë për t’u qasur me prioritet dhe kujdes ndaj kësaj çështjeje, në respekt të familjeve të viktimave dhe në funksion të vendosjes së drejtësisë.