Lajme

Gjermania dhe Austria vendosin t’i lehtësojnë masat anti-COVID

02/16/2022 23:01
nga:Gazeta Blic

Austria dhe Gjermania kanë bërë të ditura planet për relaksimin e masave anti-COVID, disa javë pas shtytjes për vaksinim të obligueshëm, për të parandaluar rritjen e infeksioneve.

Ndonëse të pavaksinuarit do të përballen edhe më tutje me masa, gjermanëve u është premtuar “ditë e lirë” nga 20 marsi, derisa shumica e masave do të bien poshtë edhe në Austri, që nga 5 marsi.

Pavarësisht kësaj, kancelari gjerman ende synon që ta bëjë të obligueshëm vaksinimin.

“Pandemia s’ka mbaruar”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas një samiti me 16 shtetet e Gjermanisë. Ndonëse legjislacioni për bërjen të obligueshëm vaksinimin i është lënë në dorë Parlamentit, kancelari Scholz ka thënë se kjo mbetet e rëndësishme sidomos për vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm.

Austria e ka kaluar në fillim të këtij muaji ligjin i cili e bënte të obligueshëm vaksinimin kundër COVID-19, duke u bërë shteti i parë në Evropë që merr vendim të tillë. Pavarësisht kësaj, askush nuk do të ndëshkohet nëse e thyen ligjin deri më 16 mars, ndërkohë që qeveria ka kohë deri atëherë që të vendosë për suspendimin e tij.

Pjesa më e madhe e Evropës ka njoftuar tashmë planet për të liruar kufizimet për COVID-19, derisa infeksionet po bien. Zvicra ka njoftuar se nga 17 shkurti nuk nevojiten certifikata COVID për të hyrë në bare, restorante apo ambiente të tjera të brendshme.

Holanda do të heqë shumicën e masave deri më 25 shkurt, me lokalet që kthehen në orarin normal dhe maskat nuk janë më të detyrueshme në shumicën e mjediseve.

Franca tashmë ka hequr kërkesat e maskave jashtë dhe synon të heqë masën brenda nga mesi i marsit nëse kushtet lejojnë.

Norvegjia hoqi masat e saj të fundit më 12 shkurt, duke deklaruar se koronavirusi “nuk është më një kërcënim i madh shëndetësor për shumicën prej nesh”.

Shumica e kufizimeve janë hequr në Angli dhe disa masa mbeten në Skoci dhe Uells.

Udhëheqësit e Gjermanisë ranë dakord të mërkurën për një plan me tre hapa, duke filluar me një rritje të numrit të personave të vaksinuar dhe të shëruar të lejuar të mbajnë takime private në ambiente të mbyllura.

Nga 4 marsi, kushdo që është vaksinuar ose që është shëruar nga COVID-19 do të lejohet në bare dhe hotele pa test, ndërsa personat e pavaksinuar do të lejohen të hyjnë me test.

Më pas, nga 20 marsi, shumica e kufizimeve të tjera do të hiqen, përveç rregullave për maskat. Pjesëmarrja në ngjarjet kryesore në natyrë do të rritet nga 10,000 në deri në 25,000 (ose 75% kapacitet) më 4 mars, me perspektivën e stadiumeve të plota më 20 mars.

Në Austri, vetëm mjediset shumë të cenueshme, si shtëpitë e pleqve dhe spitalet, do të ruajnë kufizimet për COVID nga 5 Marsi.