Lajme

Gjergj Dedaj: Vjosa Osmani nuk është presidente, është sekretare e Kurtit!

07/05/2023 12:50
nga:Y I

Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani për pozicionin që po mban sa i përket gjendjes në veri.

Dedaj tha se ajo është presidente ‘kukull’ e varur nga votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Vjosa Osmanin unë nuk e quaj asnjëherë presidente të Kosovës për shumë arsye që unë i kam thënë disa herë. Ajo edhe kur nuk pajtohet me Kurtin duhet me thënë që pajtohet sepse ajo është presidente kukull e varur nga votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Dihet si ka ardhë presidente, është folur publikisht edhe nga akterët kryesor të pushtetit që deri në ora 03:00 të natës kanë biseduan me ‘Listën Serbe’ për t’i bërë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidente. Asaj i thonë herë ‘notere’ herë ‘sekretare’ e Kurtit por në fakt ajo është vetëm në shërbim të Kurtit dhe nuk ka identitet dhe personalitet të vetin dhe nuk mundet me ndryshu kurgja. Ndryshimi më i madh i saj është nëse ajo mundte ta shpallë eventualisht datën e zgjedhjeve të reja parlamentare të Kosovës” tha Dedaj për “Gazeta Blic”

Dedaj ka thënë se tani e dy vite është pa punë, që pas shkarkimit nga pozita e ambasadorit.

Ai për ketë ka akuzuar publikisht presidenten Osmani se e ka shkarkuar nga pozita për të vendosur bashkëshortin e saj, Prindon Sadriun.

“Tash e dy vite jam pa punë prej shkarkimit kriminal dhe brutal që ma ka bërë Vjosa Osmani për ta dërguar burrin e saj në pozitën time. Edhe bashkëshortja ime por edhe djali im që jeton me ne është i papunë . Po habitem edhe po them se a është kjo Kosova për të cilën kemi sakrifiku çdo gjë, a është kjo Kosova për të cilën kemi patur ideale dhe shpresa që me arritjen e Pavarësisë së Kosovës do të zgjidhen problemet tona edhe personale edhe familjare edhe shtetërore, mirëpo po ndodh krejtësisht e kundërta. Unë po jetoj në Kosovë por më duket sikur me qenë në një vend të huaj fatkeqesisht, a në fakt unë këtë vend e kam ‘la’ me gjak me punë me djersë, me të gjitha ato që duhet me i ba një njeri, një qytetar i këtij vendi mirëpo unë në sajë të politikës aktuale, të pushtetit që është me primesa diktatoriale dhe ka simptoma të stalinizmit, unë qëndroj në vendin tim si me qenë në vend të huaj. Unë mendoj se është koha e fundit që këta me shku në shtëpi” tha Dedaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”