Lajme

Gjergj Dedaj mohon se iu kërkua kthimi i targave: Albini do të përgjigjet para drejtësisë

01/16/2022 22:47
nga:Gazeta Blic

Para pak çastesh u raportua se po kërkohet ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, i cili mbahet mend për refuzimin e dekretit të presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e tij.

Krejt kjo, pasi mësohet se MPJD ka lëshuar urdhër për konfiskimin e tabelave të veturave zyrtare dhe të ID-ve diplomatike që po vazhdojnë të mbahen paautorizim nga ish-ambasadori Dedaj dhe ish-konsulli, Lindon Kqira, i cili po ashtu e pati vlerësuar si jokushtetues vendimin e Osmanit.

E sipas të njëjtave burime, mësohet se tani Policia është në kërkim të tyre, për t’ua konfiskuar targat dhe ID diplomatike të ish-diplomatëve dhe familjarëve të tyre.

Syri.net Kosova ka kontaktuar direkt me ish ambasadorin, Gjergj Dedaj i cili mohon të gjitha këto lajme, duke deklaruar se atij nuk i është kërkuar një gjë e tillë nga askush.

Dedaj në një prononcim për Syrin, shprehet se këto tabela janë private të makinës së tij, dhe se sipas tij Kosova nuk ka paguar as edhe një cent për to.

“Askush nuk më ka kerkuar t’i kthej tabelat e makinës sime private për të cilen Kosova nuk ka paguar asnjë cent. Këto tabela i ka dhënë MPJ e Maqedonisë së Veriut dhe atyre ua kthej. Deri më tani kam pasur regjistrim dhe duhet të shkoj në Shkup e ta shikoj procedurën. Këto janë lajme të cilat i lansojnë ata të cilët kanë bërë krim, padrejtësi dhe shkarkim të dhunshëm ndaj meje, për të mbuluar këto të bame të tyre jonjerëzore”, deklaron Dedaj për Syrin.

Tutje, Dedaj është shprehur se alibitë për krimin ndaj tij nuk pinë ujë, dhe se do përgjigjen para organeve të drejtësisë.

“Këto tabela për regjistrim, sigurim dhe karton të gjelber i kam paguar personalisht dhe nuk ka të bëjë asgjë buxheti i Kosovës asnjë cent. Alibi për krimin ndaj meje nuk pinë ujë dhe do të përgjegjen para drejtësisë”, nënvizoi ai.