Pas përfundimit të numërimit të votave, gjenerali Rrahman Rama ka njoftuar se është zgjedhur deputet nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka thënë se do të vazhdojë të punojë me nder, ashtu siç ka bërë përpjekje gjithmonë.
“Me mirënjohje të thellë dua t’ju drejtohem me një falënderim për mbështetjen e madhe që më keni dhënë gjatë këtyre muajve”, ka thënë Rama në një postim në rrjetin social Facebook.
“Meqë numërimi tani ka përfunduar, mund t’ju njoftoj se jam zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. 29,582 votat që kam marrë në këto zgjedhje që për mua ishin një rrugëtim i ri, janë shumë domethënëse dhe motivuese që të vazhdoj t’ju shërbej me nder, siç jam munduar gjithmonë”, ka thënë ai.
“Ju jap fjalën se ato që i kam premtuar gjatë fushatës, do të jenë boshti i angazhimit tim në politikë. Dua të falënderoj edhe ekipin tim të përbërë nga miq e dashamirë, të cilët u angazhuan ditë e natë, duke bërë një punë të mrekullueshme. Faleminderit”, ka shkruar ai.