Lajme

Gjendja me COVID: Këto janë dy masat që u propozuan sot të hiqen në Kosovë

10/07/2021 17:06
nga:M K

Largimin e orës policore, largimin e masës për bartje të maskës kur personi është i vetëm dhe lejimin e grumbullimit deri në 50 persona në ambiente të jashtme, janë kërkesat që Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka parashtruar në takimin virtual që kanë zhvilluar sot me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë (MSh), Dafina Gexha dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) Elbert Krasniqi.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, teksa ka bërë të ditura kërkesat që janë parashtruar para nivelit lokal, tha se kanë kërkuar edhe shtimin e përqindjes së shfrytëzimit të lokaleve të gastronomisë pasi që ka rënie të rasteve me COVID-19.

“Kërkesa e parë ishte heqja e orës policore, kërkesa e dytë ishte heqja e masës së bartjes së maskës për individët kur janë në lëvizje i vetmuar. Pastaj nën tre, në vend që të jenë 30 persona në tubime në hapësirat e jashtme të shtohet numri deri në 50, për persona të cilët janë të imunizuar apo persona të cilët janë me PCR negativë. Gjithashtu, ishte edhe kërkesa tjetër sa i përket çështjes së gastronomisë, që të lejohet shtimi i përqindjes së shfrytëzimit të lokaleve më shumë sesa 50 përqind që është tani, sepse janë krijuar kushtet pasi që tendenca e rënies së numrit të të infektuarve është pozitive, në atë kuptimin kemi një rënie drastike që është e mirëseardhur. Mirëpo, duke pasur marrë parasysh që procesi i fillimit të vitit të ri shkollor ka filluar të hënën e kaluar jemi në proces të shqyrtimit se çka do të ndodh pas dy jave apo tri jave”, tha ai.

Të gjitha këto kërkesa, Ibrahimi tha se do të shqyrtohen edhe në takimin e nesërm të komitetit anti-COVID, derisa tha se beson që këto kërkesa do të merren parasysh nga qeveria.

“Kërkesat e Asociacionit të Komunave të Kosovës si heqja e orës policore, gjithashtu edhe çështja e pjesëmarrjes së qytetarëve më shumë sesa 30 vetë do të shqyrtohen shumë seriozisht nga niveli qendror, sepse këto janë kërkesat të cilat burojnë nga niveli lokal ku zhvillohet edhe jeta e qytetarit. Ne shpresojmë që ditëve në vijim do të informohemi sa i përket përmbushjes apo plotësimit të kërkesave të komunave”, tha ai.

Duke qenë se javën tjetër do të mbahen zgjedhjet lokale, Ibrahimi tha se kanë kërkuar që të bëhet dezinfektimi i të gjitha shkollave që do të përdoren si qendra të votimit. Po ashtu, ai tha se kanë kërkuar që 18 tetori të jetë ditë pushimi për shkollat me qëllim që të njëjtat të dezinfektohen.

“Kërkesa e Asociacionit dhe drejtorëve komunal të arsimit ka qenë që një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, po gjithashtu edhe një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të 17 tetorit të gjitha shkollat të cilat janë qendra të votimit të dezinfektohen. Mirëpo, gjithashtu është kërkuar nga ne që me 18 tetor të jetë ditë pushimi në mënyrë që shkollat të cilat janë shfrytëzuar si qendra të votimit të kenë mundësinë e dezinfektimit”, u shpreh Ibrahimi.

Ibrahimi për KosovaPress deklaroi se kanë diskutuar edhe për respektimin e masave anti-COVID gjatë kohës së fushatës zgjedhore, e që tha se kryetarët janë duke zbatuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së.