Lajme

Gjatë takimit me kongresistin Mcgovern, Kurti përmendi aeroplanët serbë të dhuruar nga Rusia që fluturuan afër Jarinjës

05/18/2022 12:54
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Washington D.C, ka takuar kongresistin Jim McGovern, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit u diskutua edhe për invazionin rus në Ukrainë.

I pari i qeverisë foli edhe për rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, për shkak të lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë, në veçanti asaj ushtarake.

“Aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka thënë kryeministri. Këtë e ka mbështetur në veprimet që ndërmori Serbia kur Kosova mori masat e reciprocitetit në lidhje me targat e përkohshme”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.

Tutje, Kurti tha se kur Kosova mori masat e reciprocitetit në lidhje me targat e përkohshme, Serbia e përshkallëzoi këtë cështje në një provokim ushtarak, duke fluturuar helikopterë ushtarakë të dhuruara nga Rusia dhe avionë luftarakë Mig-29 afër pikës kufitare në Jarinje.

“Kryeministri Kurti ka shtuar se ambasadori rus në Beograd, Aleksander Botsan Harçenko, e ka vizituar pikën kufitare së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, për të inspektuar grumbullimin e trupave ushtarake serbe atje”, thuhet në komunikatë.

Më tej, kreu i qeverisë tha se një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO do ta zvogëlonte shumë kërcënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të forconte paqen dhe sigurinë në Evropë.