Lajme

Gjata: Çmimet e rrymës në Kosovë stratosferike, ZRRE-ja t’i zbresë tarifat

01/13/2024 08:22
nga:Sh R

Lëvizje të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare ka pasur në muajt e fundit.

Mirëpo kjo nuk po ndodh edhe në Kosovë.

Madje, me faturat e fundit të energjisë elektrike, qytetarët janë ankuar për çmime më të larta.

Kjo gjendje do të jetë deri në fund të muajit mars.

Pasi, sipas burimeve brenda Zyrës së Rregullatorit, këta të fundit do të marrin vendim të ri më 1 prill.

Burimet për Front Online kanë thënë që janë duke i pritur aplikacionet nga KEDS, KESCO e KOSTT-i.

E këta për t’i dorëzuar aplikacionet, kanë kohë deri në fund të janarit, theksojnë burimet brenda ZRRE-së.

Lëvizjet e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, po i kritikon një ekonomist i kamotshëm.

Gazetari Mehmet Gjata ka thënë që me rikthim të bllok tarifave, qytetarët janë goditur direkt.

Sipas tij, brenda një viti e gjysmë, tri herë është ngritur çmimi i energjisë elektrike.

Një kilovatë në orë kushton 15 cent, e që për Gjatën është i lartë.

“Duka analizuar shumë zëra dhe zhvillime rreth faturave ‘të fryra” të energjisë elektrike në muajin e fundit të vitit të kaluar, ka shumë fakte që është në të shumtën e rasteve është faturuar thuajse saktësisht vetëm rrymën e shpenzuar. Por, shumë konsumatorë të vendit, nuk e kanë pasur parasysh fare ngritjen tre herë të çmimit të energjisë brenda 1,5 vjetësh, dhe sidomos nuk e kanë pasur parasysh ngritjen enorme, të madhe të energjisë së shpenzuar nga rikthimi i bllok-tarifave”.

“Me bllok tarifa u goditën direkt numri dërmues i konsumatorëve kosovarë, për shkakun se shumica e tyre janë harxhues të mbi 800 kilovat-orë, dhe për të cilët konsumatorë, siç dihet, një kilovat-orë vazhdon ta ketë çmimin rreth 15 centë. Dhe ky çmim është enorm i lartë dhe thuaja në statosferë, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të varfëra kosovare dhe në mirëqenien e tyre”, ka thënë ai për Front Online.

Çmimet e larta të energjisë elektrike në faturat e fundit, Gjata ia lë fajin mossubvencionimit të rrymës nga Qeveria, si dhe shfrytëzimi i tepruar të ngrohjeve.

“Në faturat me shuma të mëdha parash , në njëfarë mënyre ka ndikuar edhe ndërprerja e subvencionimit të rrymës nga Qeveria si dhe besimi i tepruar tek pajisjet efiçiente të përdorura për ngrohje. Thjesht, nuk është llogaritur mirë dhe nuk është vlerësuar se sado që në një farë mënyre kursejnë pak a shumë rrymën, këto pajisje janë shpenzuese kolosale të energjisë elektrike”, tha ai për Front Online.

Njohësi i Ekonomisë: Pagesa ose mospagesa e rrymës nga serbët në veri ka qenë kryekëput politike, rryma duhet të lirohet

Nga janari i këtij viti serbët e veriut të Kosovës do ta paguajnë rrymën që e shpenzojnë.

Por, kjo nuk do të ndikoj në çmimin e energjisë elektrike ngase pagesa ose mospagesa ka qenë kryekëput politike

Kështu po thotë gazetari dhe ekonomisti Mehmet Gjata.

Megjithatë, gazetari i ekonomisë, Gjata thotë që duhet të ndiqet trendi botërorë për çmimet e energjisë elektrike.

“Unë mendoj se çmimi si kudo në tregun botërorë dhe evropian të energjisë elektrike, që ka zënë të ulet, edhe te ne do të duhej të nisë ky trend. Të gjitha parakushtet në zhvillimet energjetike të botës flasin për këtë ulje. Pagesa, ose mospagesa nga qytetarët në veri të vendit ka qenë që nga fillimi kryekëput politike, dhe vazhdon të jetë e tillë, prandaj, mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndikim në ecuritë e çmimeve të energjisë elektrike në vend”, ka thënë ai për Front Online.

Pagesa e rrymës nga serbët në veri/ Gjata: Askund në botë nuk privilegjohen qytetarët kështu, ta paguajnë në mënyrë retroaktive

Pagesa e rrymës nga serbët në veri pas 24 vjetëve, erdhi me një marrëveshje që u arrit në Bruksel.

Gazetari i Ekonomisë, Mehmet Gjata në një prononcim ka thënë që pagesa nga serbët në veri duhet të bëhet në mënyrë retroaktive.

“Marrëveshja do të duhej kaherë të funksionoj, por siç e thash më sipër, ajo është pasojë e zhvillimeve politike dhe këto zhvillime do ta diktojnë edhe tash e tutje funksionimin e marrëveshjes. Nuk ka vend në botë që një numër qytetarësh të privilegjohen në përmasa të këtilla të mos pagesës së rrymës, prandaj këmbënguli që faturimi dhe pagesa e rrymës nga qytetarët serbë në veri duhet të bëhet një orë e më parë, bile edhe retroaktivisht”, ka thënë ai.

Vendimi i ri për çmimin e energjisë më 1 prill/ Njohësi i Ekonomisë: Nuk ka bazë ligjore për ngritje

Siç edhe e bënë të ditur burimet e Front Online, vendimi i ri për tarifa pritet të merret më 1 Prill.

E, njohësi i ekonomisë, Mehmet Gjata në një prononcim për Front Online thotë që nuk ka bazë ligjore për ngritje të reja të rrymës.

“Në prill të 2022-tës për herë të fundit janë aplikuar tarifat e reja me çmime të ngritura (diku rreth 15 për qind). Por, sipas vlerësimeve të njohësve të zhvillimeve energjetike në Kosovë ( gjithsesi, të bazuara në analiza dhe vrojtime më të detajuara), në Kosovë, pas ngritjes enorme tre herë të çmimit të rrymës brenda periudhës kohore prej 1,5 vjetësh, (së pari më 2021 mbi 100 për qind dhe 2 herë me 2022-në shkurt rreth 30 për qind dhe në prill diku te 15 përqindshi), nuk ka asnjë arsye të vetme, as bazë ligjore që të ketë çmime të reja të ngritura të rrymës te ne”, u shpreh ai.

Ndryshe nga Kosova, ekonomisti Mehmet Gjata ka thënë se në botë çmimi i rrymës është shumë më i ulët.

“Së pari, për shkak se çmimit e energjisë elektrike në botë, pas ngritjes së vrullshme të madhe, që ndodhi pas pandemisë COVID-19 dhe sidomos pas fillimit të luftës ruso ukrainase në nivel global, në vitin e kaluar, por edhe sivjet, kanë zënë të ulën ndjeshëm, madje, tani në periudha të ndryshme të vitit, çmimet e rrymës elektrike janë edhe 5-6 herë më të ulëta, se sa kur arritën kulmin, në kohën e krizës globale energjetike. Te ne, megjithatë nuk ka pasur ulje çmimesh në asnjë rast”, ka thënë ai .

Rënia e bllokut B1/ Ekonomisti Gjata: Kosova importoi rrymë javën e kaluar me çmim 100 euro megavatin

Ekonomisti dhe gazetari Mehmet Gjata në një prononcim për Front Online ka thënë se me rënien e Bllokut B1 në javën e kaluar, Kosova ka importuar rrymë nga hungarezët.

“Ndërkohë, që dihet, u pa edhe gjatë ditëve të javës së kaluar, kur për shkak të defektit teknik në bllokun B1 të termocentraleve Kosova B, kishte mungesë evidente të rrymës dhe Kosova ishte e detyruar të importojë një sasi të rrymës. Në bursën hungareze, ku zakonisht Kosova blen rrymë, një megavat-orë këto ditë, në të shumtën nuk ka tejkaluar çmimin 100 euro, madje edhe në orët e pikut, dhe me këtë çmim e importoi Kosova rrymën e munguar, ndërsa dihet në dimrin e vjetshëm dhe të parvjetshëm Kosova ka importuar rrymë edhe me çmimin mbi 500 euro për një megavat”, deklaroi ai për Front Online.

Ndërsa, gjatë vitit 2023, Gjata tha se çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare ka rënë deri në 40 euro.

Ngritjen e çmimit të energjisë në 2021, Gjata thotë se ZRRE e bëri fshehtë.

“Gjatë periudhës së verës dhe me mot më të ngrohtë, gjatë tërë vitit 2023, çmimi i rrymës në tregun ndërkombëtar, ka qenë shumë më i ulët se 100 euro megavati. Ka pasur raste që një megavat ka kushtuar edhe më pak se 40-50 euro. Së dyti, (pse Kosova nuk ka arsye të ngritë çmimin e rrymës) është rikthimi i bllok-tarifave më 2021, që ishte praktikisht një ngritje shumë e madhe e çmimit dhe që ishte e fshehtë, e padeklaruar dhe perfide nga ana e ZRRE-së”, u shpreh ai