Vjedhjet në vendin tonë gjithnjë kanë rezultuar mjaft shqetësuese. Megjithatë, gjatë këtij gjashtëmujori (janar-qershor 2024) nga raporti policor i siguruar nga GazetaBlic, bëhet e ditur se rastet me vjedhje kanë rezultuar në rënie.
Përveç rënies së numrit të rasteve me vjedhje, në vendin tonë po ashtu ka rënie edhe të rasteve me vrasje, e rasteve të dhunimit, gjithmonë duke u bazuar në raportin policor.
“Nga numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, zbulueshmëria e tyre është rritur për 0.44%, përderisa po ashtu është rritur edhe numri i personave të arrestuar nga 5573 në 5656, për përudhën krahasuese gjashtëmujore 2023/2024.
- Numri i rasteve të vrasjeve ka shënuar rënie për -41.66%.
- Numri i rasteve të dhunimit ka shënuar rënie për -52%.
- Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie për -10.31%.
- Numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie për -24.16%.
- Numri i vjedhjeve në tentativë ka shënuar rënie për -23% etj”, thuhet në raportin policor.
Në lidhje më këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, sociologu Labinot Kunushevci thotë se ky “fenomen” ndodhë aty ku ka dështuar kultura dhe edukimi publik dhe që se sipas tij “vjedhja nuk është shprehi e rrugës”.
“Fenomeni i vjedhjeve ndodhë aty ku ka dështuar kultura dhe edukimi publik, aty ku siguria është e brishtë, ku kontrolli dhe sanksionimi i vjedhësve është i dobët dhe ku shoqëria karakterizohet me një krizë të thellë, para se me qenë ekonomike, është më shumë morale. Kur këta mekanizma forcohen, bie numri i vjedhjeve. Vjedhja nuk është shprehi e rrugës. Ndodhin shumë ndryshime dhe përmbysje vlerash që ajo të shndërrohet në dukuri”, tha Kunushevci.
Sipas sociologut, rënia e vjedhjeve në tërë territorin e Kosovës ka ndikuar nga “forcimi i edukimit publik dhe moral”.
Tutje, Kunushevci shton se parandalimi mund të bëhet me ndryshimin e ligjit që e rritë masën e dënimit dhe të ketë zero tolerancë nga sistemi gjyqësor.
“Sanksionimi më i rreptë i akterëve të kësaj vepre penale (ndoshta ndryshimi i ligjit që e rritë masën e dënimit) dhe zero tolerancë nga sistemi gjyqësor (siç rëndom shohim relativizim të krimeve të tyre nga vendimet e gjykatave). Kjo do ta reduktonte dukurinë e vjedhjeve”, theksoi Kunushefci.
Ndërsa, eksperti i sigurisë Bedri Elezi, në një deklaratë për GazetaBlic, vlerëson se arsyeja që kanë rënë rastet me vjedhjet në vendin tonë kanë të bëjë me çështjen e hapjes së kufijve të Kosovës ndaj vendeve të Bashkimit Evropian.
“Në fakt rastet që kanë të bëjnë me veprën penale vjedhjet, qoftë vjedhje të rënda nga viti i kaluar në këtë vit shihet qartë se kanë rënë dhe krejt kjo sigurisht që ka të bëjë me çështjen e hapjes së kufijve për Republikën e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, dhe siç duket edhe personat të cilët kanë kryer vepra janë larguar nga Kosova dhe një numër i atyre të cilët kanë arritur që të kapen nga Policia e Kosovës janë në mbajtje apo në procedura”, u shpreh Elezi.
Gjithashtu, eksperti i sigurisë thekson se Kosova mund të konsiderohet një territor i papërshtatshëm për të kryer raste të tilla.
“Për Kosovën mund të konsiderohet një territor i papërshtatshëm dhe në fakt shtetet e Bashkimit Evropian janë më të dobishme në një zonë perimetër më të madh dhe mundësia për të përfituar materialisht nga aktivitet e tyre është shumë më e madhe”, tha ai.
/GazetaBlic/


