Lajme

Gjashtë raste të dhunës në familje u raportuan në Polici në 24 orët e fundit

05/01/2024 11:46
nga:G B

Policia e Kosovës, përmes raportit të saj ditor, ka njoftuar se kanë ndodhur gjashtë raste të ndara të dhunës në familje gjatë ditës së martë [30 prill].

Dy raste kanë ndodhur në Prishtinë, një në Lipjan, një në Drenas, një në Gjakovë dhe një në Malishevë.

Siç njofton Policia, në pesë raste të gjithë të dyshuarit janë burra e viktimat janë gra dhe vetëm një rast është vajza ndaj nënës.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, është hasur një grua ka njoftuar se është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.

Policia ka bërë të ditur se gruaja kishte lëndime dhe pas trajtimit mjekësor është dërguar në strehimore.

“Më datë 01.05.2024 rreth orës 00:10 nga njësia policore është hasur viktima femër e cila ka njoftuar se është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga burri i saj i dyshuari mashkull kosovar. Pasi viktima kishte lëndime është dërguar te mjeku i QKMF dhe më pas me pëlqimin e saj është dërguar në strehimore. Lidhur me rastin, deri me tani nuk është arritur që të sigurohet prezenca e të dyshuarit”, thuhet në raport.

Në Drenas [Gllogoc], Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Sipas raportit, i dyshuari është arrestuar për  veprën penale “dhunë në familje”.

“Viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

Rasti tjetër i raportuar ka ndodhur në Lipjan, ku një grua ka raportuar se ajo dhe bashkëshorti i saj janë sulmuar fizikisht nga vjehërri dhe kunati i saj. Sipas njoftimit i dyshuari [vjehërri], është dërguar në mbajtje.

“Viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se ajo dhe bashkëshorti i saj janë sulmuar fizikisht nga vjehërri dhe kunati i saj. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njëri nga të dyshuarit (vjehërri) është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

E në kryeqytet, një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se vazhdimisht është duke pasur dhunë psikike nga vajza e saj. E dyshuara sipas Policisë është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë.

“Viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se vazhdimisht është duke pasur dhunë psikike nga vajza e saj. E dyshuara është sjellë në polici ku ka refuzuar të deklarohet. E njëjta është dërguar për trajtim mjekësor në Klinikën e Psikiatrisë. Në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Një rast tjetër është se një grua ka raportuar në PK se para një muaji është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se para një muaji, pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar ”, njofton PK-ja.

Ndërsa, në Gjakovë një person është arrestuar pasi i njëjti ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij.

“Gjakovë 30.04.2024 – 01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.