Lajme

Gjashtë pacientë të shtrirë në Kirurgjinë Plastike me lëndime të rënda nga mjetet piroteknike

01/05/2026 14:24
nga:G B

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar se gjatë festave të fundvitit, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë trajtuar një numër i konsiderueshëm pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave.

Sipas SHSKUK-së, pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë.

Lëndimet e trajtuara kanë qenë kryesisht në duar, veçanërisht në gishtërinj, ku në disa raste janë regjistruar amputime të pjesshme ose të plota, si dhe dëmtime serioze funksionale të tendinave.

Po ashtu, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike janë trajtuar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të lënë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata.

Aktualisht, gjashtë pacientë janë të hospitalizuar për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve dhe po marrin trajtim të specializuar mjekësor.

SHSKUK thekson se këto lëndime shpesh shoqërohen me pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, duke kërkuar ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë.

Klinika e Kirurgjisë Plastike u ka bërë thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përkatëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin për rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët.