Lajme

Gjakova në zi për të vdekurit në Kroaci

07/26/2021 21:04
nga:Q R

Rruga e cila do t’i qonte Valentina e Erlinda Binakaj tek dyert e shtëpisë në atdhe, tashmë po i drejton mysafirët në të pame që ka hapur familja për nënë e bijë.

Të dyja bashkatdhetarët nga fshati Devë i Gjakovës po ktheheshin vinin në Kosovë me autobusin që u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë dhe vdiqën në vend. E familja mezi u sigurua se ato nuk jetojnë më.

Xhaxhai i 19 vjeçares, Rasim Binakaj thotë se në autobusin që u rrokullis ndodheshin edhe dy vajza që shpëtuan derisa me to nuk udhëtuan edhe babai e vëllai i vogël që mbetën në Gjermani.

Në mesin e nëntë udhëtarëve që vdiqën, përfshirë vozitësin e autobusit, janë edhe dy kosovare nga Juniku.

Leonora Gjota Kolmeshaj do të kthehej në vendlindje për t’iu bashkuar familjes në ahengjet që kishin planifikuar sikur edhe motrat e vëllezërit e saj që jetonin nëpër Evropë.

Se nuk u bënë bashkë dot, treguan për Klan Kosovën motra e saj Merita dhe vëllai Luani.

Ky i fundit madje rrëfeu se si të dielën në mëngjes përshkoi rrugën e njëjtë për t’u kthyer nga Austria para se autobusi të rrokullisej, dhe se sikur e motra e ndjerë që 2 vjet nuk kishin qenë në Kosovë, për shkak të pandemisë.

Nga Juniku është edhe viktima tjetër, Xhyle Maloku që po udhëtonte me të shoqin.

Gruaja ndërroi jetë ndërkohë që M.M, burri i saj është njëri nga dy personat nën kujdes intensiv.

Gjendja e rëndë e familjarit ishte edhe arsyeja që të afërmit e tyre në Junik nuk deshën të flasin për rastin por konfirmuan se nga familja u shpëtoi nipi 5 vjeçar.

Familjarët në Kosovë thonë se komunat u kanë ofruar mundësinë që nga një anëtar i tyre të udhëtojë drejt Kroacisë tek të lënduarit nëse shfaqet nevoja.

Atje në fakt po qëndron edhe drejtori i kompanisë Deva Tours autobusi i së cilës devijoi rrugën, e që u ka ofruar mbështetje të mbijetuarve derisa pritën lirimin nga spitali të të lënduarve.