Sporti

Giroud merr vendimin për t’u tërhequr nga Franca: “Ndiej lodhje fizike dhe mendore”

05/24/2024 09:42
nga:E K

Në një intervistë për “L’ Equipe”, golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares franceze ka rrëfyer se “do t’i mungojë vërtet” përfaqësimi i vendit të tij, por thekson se periudha pas Kampionatit Evropian është ideale për t’u “liruar vendin të rinjve”.

“Për të qenë i sinqertë, duhet t’i them vetes se kjo do të jetë gara ime e fundit me “Les Bleus”. Natyrisht, do të më mungojë shumë. Por mendoj se prania ime në skuadrën e Francës do të përfundojë pas Euros”, theksoi sulmuesi 37-vjeçar, i cili e k mbyllur edhe me Milanin për t’iu bashkuar Los Angeles FC në MLS.

Pasi njoftoi largimin e tij nga skuadra e Francës, kampioni i Botës në vitin 2018 shtoi se vendimi i tij nuk ka të bëjë fare me një lamtumirë të mundshme pranë fushës.

“Ne duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur dhe duhet të jemi realistë. Siç thashë, ndiej lodhje fizike dhe mendore. Vetë Varane bëri të njëjtën gjë pas Kupës së Botës. Gjithmonë kam thënë se do të ndaloja kur trupi im të ma kërkonte. Mendoj se më kanë mbetur edhe dy vite të mira, por përvoja me kombëtaren do të përfundojë”, e mbyll Giroud.