Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë lidhur me raportimet për mungesën e uniformave dhe pajisjeve për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Kjo çështje ishte përmendur si një nga arsyet që kishte ndikuar në shtyrjen e ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.
Duke folur para gazetarëve, Kurti ka thënë se për çështjen e furnizimit me uniforma dhe pajisje duhet të përgjigjet Ministria e Punëve të Brendshme. Ai, ndërkaq, ka vënë në pah rritjen e vazhdueshme të buxhetit të ndarë për Policinë e Kosovës.
Sipas tij, institucionet e vendit nuk kanë treguar asnjëherë më parë nivel kaq të lartë të përkujdesjes ndaj policisë dhe ushtrisë.
“Unë tash do të shkoj atje dhe natyrisht është një arritje e re që Republikës së Kosovës po i shtohen edhe mbi 300 kadetë të rinj, nga të cilët rreth 30% janë gra. Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua japë përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, deklaroi Kurti.


