Sporti

Gërxhaliu për ‘GazetaBlic Sport’: Jam krenar që jam pjesë e Kosovës A, do t’i fitojmë të dy ndeshjet

03/18/2023 11:15
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës dje publikoi listën e lojtarëve për dy ndeshjet e muajit mars, të vlefshme për kualifikimet në Euro 2024.

Trajneri Alain Giresse zbuloi emrat e futbollistëve, ku në mesin e tyre ishte Amar Gërxhaliu, një talent që premton shumë për të ardhmen.

Gërxhaliu është 20 vjeçar dhe luan tek skuadra e Antalyaspor, duke u transferuar atje nga futbolli kosovar dhe duke zhvilluar deri më tash 3 ndeshje.

Gerxhaliu ka qenë pjesë e Kosovës U21, por me paraqitjet e tij ka bindur trajnerin Alain Giresse që të ftohet te Kosova A.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport‘, Gërxhaliu tha se emocionet janë të papërshkrueshme që është brenda listës së Kosovë A, gjë që natyrisht është edhe ëndrra e çdo futbollisti.

Kam emocione të papërshkrueshme, më është përmbushur ëndrra, ashtu si çdo lojtar që ëndërron të luaj për vendin e tij. Mezi pres të stërvitem, do të punoj që të jem i ftuar në çdo grumbullim të Kosovës A. Besoj shumë se do t’i fitojmë të dyja ndeshjet që kemi“, tha Gërxhaliu për ‘GazetaBlic Sport’.

Kujtojmë Kosova përballet me Izraelin me 25 mars, kurse ndeshjen e dytë e zhvillon me 28 mars ndaj Andorës në “Fadil Vokrri”.