Futbollisti kosovar, Kastriot Selmani bëri një lëvizje interesante në merkaton e verës.
Selmani u largua nga skuadra e Dritës, duke u transferuar tek skuadra kampione e Shqipërisë, KF Egnatia.
Debutimi i tij tek kjo skuadër në ndeshje zyrtare erdhi në momentin më të mirë, në ndeshjen e parë eliminuese në Ligën e Kampionëve.
Egnatia triumfoi me shifrat 1 me 0 ndaj Breidablik, duke siguruar avantazh deri në ndeshjen e dytë, atje ku do të vendoset gjithçka.
Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, Kastriot Selmani, tha se ambientimi i tij ka qenë shumë i lehtë, sepse pritja ka qenë fantastike, duke filluar nga presidenti e deri tek bashkëlojtarët, të cilat i kanë qëndruar shumë pranë.
“Të them të drejtën, u ambientova shumë shpejt tek Egnatia, falë pritjes shumë të mirë që mora nga presidenti, drejtori, trajneri Tetova dhe i gjithë stafi, por sidomos nga shokët e mi të ekipit që kanë qenë pranë meje që nga seanca e parë stërvitore”, tha fillimisht Selmani.

Tutje, ai shtoi se debutimi i tij në një ndeshje të tillë zyrtare, ishte një gjë që i dha ndjesi shumë të mirë, aq sa e ndjeu në maksimum.
“Ishte një ndjesi shumë e mirë sepse ishte para tifozëve tanë dhe i gjithë stadiumi ishte plot, por e ndjeva në maksimum”, shtoi tutje Selmani.

Krejt në fund, ai u pyet edhe për ndeshjen kthyese ndaj Breidablik, ku tha se fitorja në ndeshjen e parë, do të jetë shumë motivuese për skuadrën, e cila do të luftojë në maksimum për të kaluar tutje.
“Besoj se goli në minutat e fundit na jep edhe më shumë shpresë dhe motivim, edhe pse asgjë nuk ka mbaruar ende, por ne do të shkojmë të luftojmë në Islandë dhe të kalojmë tutje”, përfundoi Selmani.
/GazetaBlic Sport/


