Sporti

Emri i trajnerit të ri tek Drita, Valon Zymberi jep informacionet e fundit

04/20/2023 11:33
nga:Mergim Rreci

Skaudra e Dritës vazhdon të jetë pa trajner që pas largimit të Arsim Thaqit nga kjo pozitë.

Thaqi është një nga trajnerët me jetë shkurtër në një klub të Superligës për këtë edicion, pasi ka qëndruar vetëm 4 muajë e gjysmë, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme.

Ka disa opsione që janë përfolur për emrin e ri të trajnerit tek Drita, por që deri më tash nuk ka pasur asgjë konkrete në këtë drejtim.

‘GazetaBlic Sport’ ka kontaktuar drejtorin sportiv, Valon Zymberin, i cili tha se janë duke punuar shumë në këtë drejtim dhe se po kërkojnë një zgjidhje afatgjate.

“Jemi duke punuar shumë në atë drejtim, jemi duke shqyrtuar mundësitë më të mira që na përgjigjen, por që natyrisht se kjo gjë kërkon kohë. Ne po mundohemi të bëjmë një zgjidhje sa më shpejtë, qoftë edhe para ndeshjes me Prishtinën, por që kjo gjë nuk varet edhe plotësisht nga ne“, tha fillimisht ai.

Më pas, ai u deklarua edhe për emrin e ri që mund të jetë në krye të ekipit, ku tha se janë duke tentuar që të bëjnë një zgjidhje sa më afatgjate, por që ka pak më shumë preferencë për trajner jashtë vendit ndoshta.

“Nuk jemi të përcaktuar më patjetër të jetë një trajner vendor apo i huaj, po kërkojmë një zgjidhje sa më afatgjate. Brenda objektivit tonë janë trajnerët kryesisht me më shumë eskperiencë, por që janë edhe jashtë vendit ndoshta“, përfundoi Zymberi me deklaratën e tij.

Kujtojmë që prej kohësh emri i Mirel Josës është lidhur me stolin e kësaj skuadre, me trajnerin nga Shqipëria që ka eskperiencën e madhe edhe në gara evropiane.

/GazetaBlic Sport/