Lajme

Abdixhiku: Qenkan marrë sot me mua pushteti dhe “fronti i bashkuar opozitar”

01/20/2024 16:17
nga:Sh R

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AAK, Bekë Berisha ka drejtuar kritika në adresë të liderëve opozitarë, atij të PDK-së, Memli Krasniqi dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Deputeti i AAK-së thotë se kryetari i LDK-së po i sheh disa ëndrra me ‘rrugën e re’, ndërsa sipas tij, sondazhet i ka në tavolinë se ku gjendet LDK-ja.

Pas këtyre kritikave përmes një postimi në rrejtin social Facebook, ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku ka thënë se sot qenkan marrë me të edhe pushteti por edhe “fronti i bashkuar opozitar”.

Abdixhiku thotë se opozita ndoshta po bëhen gati për një bashkëpunim të gjatë, ku thotë se matjet e bëra po u japin frikë në palcë.

Sipas tij qeverisë së LDK-së nuk i merr 4 vite kohë për ta përfunduar një gjysmë autostrade e as nuk i falë 54 milionë euro për “Bechtel”.

Reagimi i plotë i Abdixhikut:

Qenkan marrë sot me mua edhe nga pushteti edhe nga “fronti i bashkuar opozitar”. Shihni se kur është në pyetje LDK-ja, të dyja, se ç’na bëhen bashkë.

Ndoshta po bëhen gati për bashkëpunim të gjatë. Ndoshta matjet e bëra, këto pa propagandë, po u japin frikë në palcë.

Rruga e Re është zgjidhja! As si këta e hiç se hiç si ata! Si LDK; forcë moderne e zhvillimeve të mëdha.

Një që nuk merr 4 vjet kohë për gjysmë autostradë, e as nuk u falë ‘Bechtel-ve’ 54 milion euro dhuratë.