Lajme

Gërxhaliu: Produktet bazike në Kosovë më të shtrenjta se në Perëndim – Të jetuarit këtu po bëhet vërtet sfidues

12/10/2025 13:49
nga:Sh R

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se ngritja e çmimeve po përseritet nga viti në vit, por thekson se viti 2025 do ta ketë një karakteristikë më të madhe të tentativës për ngritjen e çmimeve të produkteve esenciale, raporton GazetaBlic.

Gërxhaliu në një prononcim për GazetaBlic, thekson se zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe fluksi i pritshëm i diasporës në vend do të krijojnë një terren të përshtatshëm që tregtarët të shfrytëzojnë situatën për përfitime përmes ngritjes së çmimeve.

Ai kritikoi gjithashtu edhe institucionet përgjegjëse, duke thënë se Inspektorati i Tregut nuk është në nivelin e duhur, ndërsa Agjencia e Konkurrencës sipas tij është më tepër e politizuar sesa në funksion të mbrojtjes së interesave të qytetarëve.

“Kjo është një temë aktuale që po përsëritet në Kosovë nga viti në vit, por viti 2025 do ta ketë një karakteristikë më të madhe të tentativës për rritjene e cmimeve të produkteve esenciale nga fakti që do të kemi zgjedhje me 28 dhjetor, dhe interesimi i diasporës do të jetë shumë më i madh që të jetë i pranishëm në Kosovë. E tëra kjo do të shfytëzohet nga tregëtarët dhe tregtia e cila do ta shfrytëzoj këtë momentum për përfitime përmes ngritjës së cmimeve. E kemi parasysh faktin që kemi institucione kredibile të cilat mund të ndikojnë në këto dukuri në shoqërinë kosovare, e kemi Inspektoriatin e Tregut që është numerikisht jo në nivelin e duhur, e kemi Agjensionin e Konkurencës që është më teper i politizuar sesa në funksion të mbrojtes se interesave të qytetarëve”, vlerësoi ai.

Sipas të dhënave të fundit të statistikave, çmimet e produkteve esenciale janë rritur 5.2%, gjë që sipas Gërxhaliut po e bën jetesën për shumë familje gjithnjë e më të vështirë.

Ai shtoi se pagat mbeten të pandryshuara ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten, duke ulur kështu standardin e jetesës në vend.

Ndër të tjera ai theksoi se fenomeni duhet parë edhe nga aspekti psikologjik.

“Dhe nga fakti që në Kosovë, bazuar në raportin e statistikave e kemi një ngritje të cmimeve të produkeve esenciale 5.2%, po e shihni që të jetuarit në Kosovë është vërtetë mjaft sfidues, për një pjesë bukur të madhe të qytetarëve të Kosovës dhe në këtë drejtim pagat janë të njejta, cmimet ngriten dhe kjo po ndikon në standartin e jetesës në Kosovë. Duhet të analizohet kjo dukuri edhe në aspektin psikologjik, sepse nga vitet e mëhershme është konstatu se në psikologjinë e cmimeve dominon një teori që thotë që cmimet ngriten shpejt dhe asesi nuk kthehen në statin fillestarë”, tha ai.

Ai shtoi se shumë produkte bazike në Kosovë janë më të shtrenjta sesa në vendet perëndimore që gëzojnë standard më të lartë jetese, ndërsa institucionet vendore po heshtin para këtij realiteti.

“Dhe vetë fakti që në qoftë se vitin e kaluar keni blerë një grumbull të caktuar të produkeve esenciale me 100 euro sot ato kushtojnë 160 euro, e dëshmon më së miri që situata sociale me të vërtetë është shqetësuese. Kemi një heshtje të institucioneve, dhe po e them me përgjegjësi që shumë produkte esenciale apo bazike për një jetë normale, shumë më të shtrenjta janë sot në Kosovë sesa që janë në vendet e perendimit që e kanë një standard dhe nivel të jetës shumë më të lartë”, përfundoi Gërxhaliu për GazetaBlic.