Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka paralajmëruar se përkeqësimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishte dëmi më i madh që mund t’i ndodhte Kosovës në 27 vitet e fundit.
Sipas tij, në kohën kur bota po përballet me ndryshime të mëdha gjeostrategjike, Kosova nuk mund ta përballojë izolimin apo largimin nga partneriteti strategjik me SHBA-në.
Gërxhaliu tha se mungesa e institucioneve funksionale po e dëmton pozitën ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa Serbia, sipas tij, po avancon në forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova nuk e ka komoditetin që të ketë politikë apo qasje refuzuese përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo dëshmon që në Kosovë janë varrosur tri vlerat më të mëdha, sublime të kombit: është familja, është respekti dhe falënderimi e mirënjohja. Dhe vërtetë ky do të jetë një dëm shumë i madh, sepse në qoftë se Serbia, Maqedonia dhe vendet e tjera e mirëpresin një projekt të tillë rajonal, dhe Kosova e refuzon, edhe pse dua të besoj që nuk është refuzim i drejtpërdrejtë, por është ndoshta kalkulim politik, nuk mund ta definoj, por vetëm prolongimi i mungesës së përgjigjes konkrete është dëm i madh që ndikon në raportet Amerikë–Kosovë. Në veçanti tani kur Kosova ka nevojë për miq e aleatë si kurrë më parë”, tha Gërxhaliu për GazetaBlic.


